Detaje për vizitën e Kurtit në Prizren

Prizreni

Detaje për vizitën e Kurtit në Prizren

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 12:31
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku vizitoi dje qytetin e Prizrenit. Gjatë qëndrimit atje, Kurti vizitoi institucione të ndryshme në këtë qytet me plot trashëgimi historike e kulturore.

Vizitën e tij, Kurti e filloi në Këshillin e Bashkësisë Islame, për t’i uruar për festën e Bajramit. Aty, siç u bë e ditur në komunikatë, u prit nga udhëheqësit e saj, të cilët e falënderuan kryeministrin për vizitën.

Kryeministri, fillimisht u ndal për vizitë te hamami shumëshekullor i njohur si “Hamami i Gazi Mehmed Pashës” i cili është një monument, në të cilin janë të kombinuar traditat orientale me ato lokale, e që është shndërruar në një nga simbolet shpirtërore të qytetit.

“Pastaj pa nga afër finalizimin e punës tek Lokaliteti Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes në Prizren, me rëndësi të madhe historike, shkencore, kulturore dhe edukative, dhe është dëshmia e radhës e lashtësisë mijëravjeçare së qytetit. Qeveria e Kosovës është duke mbështetur projektet e restaurimit të lokalitetit që sa më shpejt t’i prezantohet edhe publikut, si dhe të promovojë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor. Për të vazhduar pastaj te Katedralja “Zonja Ndihmëtare” në Prizren, e cila përveç vlerës së rëndësishme historike, ka vlerë të lartë estetike, shoqërore, kulturore dhe edukative. Kjo Katedrale është në mesin e shumë aseteve të trashëgimisë kulturore të restauruara gjatë qeverisjes se deritanishme.”, u bë e ditur në komunikatë.

Vizitën e tij në Prizren, kryeministri Kurti e përmbylli në kinemanë Lumbardhi, për të ndjekur koncertin “Harmonia e Kulturave” nën interpretimin e solistes Rejhane Kodrazi, pianistes Eda Vllaço dhe vilolinistit, Avni Thaqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat