​Veselaj-Gutaj: Nxënësit nga komuniteti turk dhe boshnjak pa asnjë tekst shkollor

Prizreni

​Veselaj-Gutaj: Nxënësit nga komuniteti turk dhe boshnjak pa asnjë tekst shkollor

Më: 10 shtator 2023 Në ora: 16:41
Foto ilustrim

Nxënësit nga komuniteti turk dhe boshnjak në Prizren, përveç librit të gjuhës angleze, nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë libër, derisa pjesa dërrmuese e nxënësve nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian nuk janë pajisur me libra, tha drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj.

Në një bisedë për KosovaPress, ajo tha se në përgjithësi kanë hasur në sfida sa i përket sigurimit të librave për nxënësit, duke përfshirë faktorët ekonomik dhe problemet teknike.

Gutaj: Nxënësit turk dhe boshnjak nuk e kanë asnjë libër shkollorë

“Kemi probleme më të theksuara me komunitetin turk dhe boshnjak, nuk kanë ardhur as ditarët, ka pasur gabime, i kanë kthyer. As libra, vetëm librin e gjuhës angleze e kanë, pra komuniteti turk dhe boshnjak nuk e kanë asnjë libër tjetër, nuk ka ardhur për ta. Kurse te pjesa e komunitetit shqiptar një deri në pesë (klasa) një pjesë i kanë marrë por problemet më të theksuara i kemi te komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, pjesa dërrmuese e tyre nuk janë të furnizuar me libra për shkak që nuk kanë mundur të qasen. Po ashtu edhe tek shtresa apo kategoria e familjeve që janë me gjendje ekonomike të ulët, që kanë pasur shumë probleme. Një pjesë, një specifikë që është në Prizren se ka pasur edhe një pjesë e familjeve dhe e nxënësve që nuk janë të regjistruar në gjendjen civile, për shkak që kanë lindur diku tjetër, edhe kjo ka shkaktuar një sfidë dhe vështirësi”, tha Gutaj.

Tutje, Gutaj potencoi se as gjatë 10 ditëve të ardhshme nuk pritet që këta nxënës të pajisen me libra shkollorë, derisa tregoi se ka ankesa atë vazhdueshme nga prindërit.

Gutaj: Minimalisht edhe 10 ditë të tjera nuk ka gjasa të vijnë librat

"Tek kategoritë tjera sepse nuk kanë mundur të regjistrohen në platformën e-Kosova, përkundër faktit që ne kemi krijuar ekipe mobile brenda shkollave për t'iu dalur në ndihmë edhe mësueset kë pasur gatishmëri, edhe shkollat, stafi tjetër mbështetës. Por nuk munden të regjistrohen për shkak që nuk janë të regjistruar ose ne gjendjen civile ose kanë probleme tjera, për shembull llogaritë bankare nuk i kanë pasur fare të hapura. Po, në vazhdimësi ka ankesa, tek komuniteti turk dhe boshnjak ka shumë ankesa se kanë kaluar 10 ditë, minimalisht edhe 10 ditë të tjera nuk ka gjasa të vijnë librat sipas përfaqësuesve të librarive që i kam kontaktuar, ata kanë biseduar me shtëpitë botuese për shkak të problemeve që i kanë pasur në përkthim”, u shpreh Gutaj.

Ndër të tjera, drejtoresha për arsim në këtë komunë tha se familjarët kanë hasur në pengesa gjatë përpjekjeve për të aplikuar në platformën e-Kosova për rimbursim të mjeteve financiare.

Gutaj: Ka familje që nuk janë kyçur fare në platformën e-Kosova, por prapë ia ka blerë librat fëmijës

"Vështirësi kanë pasur shumica, pjesa dërrmuese, kanë pasur vështirësi, ka familje që nuk janë kyçur fare, por prapë ia ka blerë librat (fëmijës), por ka familje që kanë hasur në vështirësi sepse ka pasur shumë ngarkesa, nuk ka punuar (e-Kosova), ka pasur probleme të vazhdueshme për tu regjistruar. Në takim me Këshillin e Prindërve që e kam pasur, ata kanë qenë kategorikisht mos të ndodhë kjo çështja e rimbursimit dhe të kthehet t’iu shpërndahen fëmijëve librat qysh ka ndodhur edhe në vitet e tjera. Sido që të jetë është një vendim i ministrisë dhe ne po bëjmë përpjeke t’i tejkalojmë këto vështirësi edhe pse janë shumë të theksuara”, tha Gutaj.

Në Kosovë, mësimi ka filluar me datën 1 shtator.

Këtë vit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka vendosur që prindërit t’i blejnë librat për fëmijët ndërsa shteti t’i rimbursojë mjetet financiare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat