Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka njoftuar se në Arbanë të Prizrenit janë hasur mbetje mortore.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai tha se gërmimet e filluara paradite kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të një individi, viktimë e luftës, që potencialisht vazhdon të jetë në listën e personave të zhdukur.
“Pas zhvarrimit do të vazhdohet me procedurat e nevojshme të ekzaminimeve mjekoligjore dhe identifikimit nëpërmjet analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Njoftim
Vazhdojnë gërmimet në kërkim të personave të zhdukur me forcë
Pas përfundimit të gërmimeve në Bishtazhin të Gjakovës, në zbatim të Planit të Punës, pas konsultimeve ndërinstitucionale ekipet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës , me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq sot kanë vazhduar me gërmimet në lokacionin e varrezave në lagjen Arbanë të Prizrenit.
Gërmimet e filluara paradite , kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e eshtrave (mbetjeve mortore) te minimumi një individi, viktimë e luftës, që potencialisht vazhdon të jetë në Listën e Personave të Zhdukur.
Pas zhvarrimit do të vazhdohet me procedurat e nevojshme të ekzaminimeve mjekoligjore dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.