Të premten mbrëma, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë së bashku me Komunën e Prizrenit shënuan përfundimin e fushatës sensibilizuese “E Du Pz” në shtëpinë e Shani Efendisë, një residencë tradicionale në zemër të Prizrenit.
Ceremonia ishte përmbledhja e një fushate ambicioze dhe me ndikim që synonte zbulimin e thesareve historike të qytetit përmes një iniciative të kodit QR. Kjo përpjekje inovative integroi tabela informative digjitale në 15 lokacione historike, duke u mundësuar vizitorëve qasje në detaje të plota të disponueshme në www.eduprizrenin.com
Aty u bënë bashkë palët e interesuara vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë kryetarin Shaqir Totaj, Yuliya Shcherbinina, Zëvendës Përfaqësuesen e Përhershme e UNDP-së, të ftuar, pjesëmarrës të fushatës dhe përfaqësues komunalë dhe të UNDP-së.
Fushata, me prani të gjerë në mediat sociale, tërhoqi rreth 70 pjesëmarrës aktivë me më shumë se 150 foto të dërguara për konkurim në Facebook dhe Instagram, veçanërisht brenda komunitetit lokal. Publiku mori pjesë aktive duke ndarë, ndjekur dhe kontribuar përmbajtjen, duke nxitur një ndjenjë të pronësisë dhe entuziazmit kolektiv. Fotografët vendas kontribuan me materiale që u bënë gurthemeli i përmbajtjes vizuale të fushatës, duke portretizuar një perspektivë të freskët dhe të gjallë të një qyteti të mbushur me histori të patreguara.
Nga të gjitha aplikimet që janë dorëzuar me hashtag #edupz janë përzgjedhur 12 fotot më të mira. Këto janë vlerësuar nga publiku të cilit iu kërkua të votonte për pesë ditë dhe të zgjidhte fotot fituese. Me votë popullore fituesit janë: 1. Artan Misini - Kalaja e Prizrenit; 2. Furkan Drvenica – Kroi i Shatërvanit; dhe 3. Şenad Kahraman - Peisazhi i Prizrenit.
Logoja e fushatës, me hashtag-un "E Du Prizrenin", u përqafua me shpejtësi nga ekipi lokal i basketbollit dhe ndërmarrjet e vogla private dhe gjeti rrugën deri tek sektorë dhe aktivitete të ndryshme, duke shfaqur potencialin e saj për të zgjeruar ndikimin në fusha të ndryshme.
Në të ardhmen, "E Du Prizrenin" parasheh një bashkëpunim të vazhdueshëm për të shfrytëzuar potencialin e turizmit të trashëgimisë kulturore, zhvillimit të qëndrueshëm dhe krijimin e vendeve të punës në Prizren. Janë duke u zhvilluar plane për të zgjeruar platformën digjitale që potencialisht do të përfshinin informata mbi shërbimet e mikpritjes, kateringun dhe ngjarjet kulturore si për turistët ashtu edhe për banorët.
Suksesi i fushatës është dëshmi e përkushtimit të Prizrenit për të ruajtur trashëgiminë e vet, për të nxitur angazhimin lokal dhe për të përqafuar inovacionin digjital në ndjekje të zhvillimit të qëndrueshëm.