Kryeministri i vendit, Albin Kurti, vizitoi sot qytetin e Prizrenit, ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të objektit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë në kuadër të Universitetit të Prizrenit, “Ukshin Hoti”.
Përkrah kryeministrit, në këtë ngjarje ishin Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci e zëvendësministri i saj Taulant Kelmendi, deputetët Arbër Rexhaj dhe Artan Abrashi, Rektori i Universitetit të Prizrenit, Mentor Alishani e pjesëmarrës të tjerë nga stafi akademik dhe administrativ.
Investimi në këtë objekt, që dikur ishte Shkolla e Lartë Pedagogjike, kap vlerën prej gjysmë milion euro.
Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, Kurti tha se pas këtyre investimeve, me infrastrukture të re, me rrjetin e ri elektrik, me rrjetin e ri të internetit me fije optike, me sallat e reja të mësimit dhe të profesorëve, uroj që ky fakultet të mbushet me energji të reja dhe me një atmosferë të re pune studimi dhe ligjërimi.
Universitetit i Prizrenit e mban emrin e profesorit të filozofisë dhe të aktivistit të shquar me origjinë nga qyteti i Prizrenit, Ukshin Hoti, i cili u zhduk nga policia serbe nga Burgu i Dubravës, me 16 maj të vitit 1999, mirëpo fryma e tij politike, e artikuluar edhe në tekst të shkruar edhe në punë e në të vepruar, është më së miri e fiksuar në vetë emrin e Universitetit të Prizrenit.
Teksa falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, Kurti në përfundim të fjalës së tij iu uroi shumë suksese të pranishmëve, dhe posaçërisht studentëve, të cilët siç potencoi ai, kanë vullnetin dhe energjinë e duhur për ta mbushur me jetë studentore ndërtesën e rinovuar.