Tri deklaratat konciliare

Religjion

Tri deklaratat konciliare

Nga: Don Lush Gjergji Më: 10 janar 2023 Në ora: 12:17
Autori Don Lush Gjergji

Deklarata mbi Edukimin e krishterë “Gravissimum Educationis” – Rëndësia e Skajshme e Edukimit, është votuar me 2290 për, kundër 35, nënshkruar dhe aprovuar nga Papa Pali VI me 28 tetor 1968.

Struktura e Deklaratës dhe çështjet që trajtohen:

Parathënia

E drejta e çdo njeriut në edukim, nr. 1;

Edukimi i krishterë, nr. 2;

Prindërit, edukatorët e parë, nr. 3;

Mjete të ndryshme në shërbim të edukimit të krishterë, nr. 4;

Shkolla, nr. 5;

Të drejtat dhe detyrat e prindërve, nr. 6;

Shkolla jo katolike, nr. 7;

Shkolla katolike, nr. 8;

Forma të ndryshme të shkollës katolike, nr. 9;

Shkollat e larta, nr. 10;

Fakultetet e teologjisë, nr. 11;

Bashkërenditja e shkollave katolike, nr. 12;

Përfundimi

Me këtë Deklaratë Kisha katolike është në kërkim sa më të mirë për çështjet e shkollimit, arsimimit dhe edukimit. Ajo angazhohet me të gjitha fuqitë “ka për detyrë të kujdeset për krejt jetën e njeriut, edhe për atë tokësore..., ka detyrën e vet specifike për sa i përket përparimit dhe zhvillimit të edukimi.” (GE Parathënie)

Disa risi në këtë Deklaratë: edukimi nuk është vetëm për fëmijë dhe për rini, por për çdo njeri dhe gjatë gjithë jetës, si proces për edukim dhe vetedukim. “Në fakt, edukimi i të rinjve, ashtu edhe një farë formimi i përhershëm i të rriturve, janë bërë njëkohësisht më të lehtë dhe më urgjentë prej rrethanave aktuale...” (Parathënie).

Së pari edukimi njerëzor, pastaj ai i krishterë, pra, “kanë të drejtë për një edukim të krishterë... të përgatiten për ta jetuar jetën e tyre sipas njeriut të ri, në drejtësinë dhe në shenjtërinë e së vërtetës (Ef 4, 22 – 24) (dhe) të arrijnë kështu njeriun e përsosur, masën e plotësisë në Krishtin (krh. Ef 4, 13),,,” (GE 2).

“Për këtë arsye ky Sinod i shenjtë u kujton barinjve të shpirtrave detyrën e rëndësie të skajshme për t’u kujdesur që të gjithë të krishterët të marrin këtë edukim të krishterë, sidomos të rinjtë, që janë shpresa e Kishës.” (GE 2)

Prindërit janë pa dyshim edukatorët e parë (Khs GE 3), pastaj shkolla dhe Kisha, sidomos nëpërmjet katekezës – edukimit në fe “që i jep dritë dhe forcë fesë, ushqen shpirtin sipas Shpirtit të Krishtit..., pastaj mjetet e komunikimit shoqëror, shoqëritë e shumta me karakter kulturor dhe sportiv, shoqatat rinore dhe në vend të parë shkollat.” (GE 4; lexo nr. 5)

Mjetet e ndryshme janë: prindërit, shkollat jo katolike dhe katolike, puna dhe përkushtimi rreth shkollimit dhe edukimit sa më të mirë dhe të përshtatshëm kushteve dhe rrethanave të jetës së sotme (Khs. GE nr. 4-10)

Shkollat katolike nuk janë vetëm për katolikë: “Kuptohet që Kisha i ka tejet pazemër edhe atë shkolla katolike të cilat, sidomos në mision, ndiqen edhe prej nxënësve jo katolikë...” (GE 9).

Përfundimi flet mbi “artin pedagogjik dhe në studimin shkencor, në mënyrë që të nxisin jo vetëm ripërtëritjen e Kishës nga brenda, por edhe të ruajë e të shtojë praninë mirëbërëse në botën moderne, sidomos në atë intelektuale.”

(GE Përfundim)

Si përfundim mund të themi që fatkeqësisht është shkëputur “hallka” familja, shkolla, shoqëria, me këtë, kuptohet, edukimi i mirëfilltë është vështirësuar, ku familja “delegon” shkollën për edukim, ndërsa ajo më tepër merret me mësim, arsimim, më pak me edukim. Prandaj duhet një shpirt i ri me shumë përgjegjësi, profesionalizëm i të gjithë faktorëve: familja, shkolla, Kisha, sidomos me përkushtim dhe dashuri, se pa dashuri nuk as mësim, edukim, arsimim, qytetërim, as jetë të plotë dhe begatshme.

Prishtinë, 10. 01. 2023 Radio Maria – Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat