Monumentet e kultit katolik në Anë të Malit

Religjion

Monumentet e kultit katolik në Anë të Malit

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 14:08
Dom Viktori, Kisha e Shën Prendes në fshatin Lulaj-Kosiq

Në Anë të Malit rrethanat historike kanë bërë të mundur të kultivohen dhe bashkëjetojnë tri komunitetet fetare, katolikë, myslimanë dhe ortodoksë. Këta të fundit janë një komunitet fare i vogël, prandaj ata në këtë zonë me shumicë dërmuese të popullsisë të besimit islam nuk kanë objekte të tyre fetare.

Gjurmët kulturore të besimit katolik janë pasqyruar në ndërtesat e kultit si edhe në objektet e ndryshme fetare në Shas dhe në Famullinë e Klleznës , të cilat përveç se janë dëshmi e kultivimit të besimit fetar, përfaqësojnë edhe vlera të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore për trevën dhe për gjithë trashëgiminë kulturore.

Besimtarët katolikë, islamë dhe ortodoksë të Anës së Malit në vazhdimësi i kanë kushtuar rëndësi fesë dhe kanë ditur të vlerësojnë, ruajnë dhe të ndërtojnë objektet e tyre fetare. Kisha dhe xhamia, apo shtëpia e Zotit, është ajo që i lidhi anamalasit të besimit islam dhe katolik me Krijuesin - Zotin - Allahun.

Objektet e kultit në Famullinë e Klleznës

Materialet dokumentare kishtare, burime të tjera të shkruara, dhe gojëdhënat që janë ruajtur dhe tregohen nga banorët e moçëm vendas, shprehin zhvillimin e jetës kulturore të Anës së Malit edhe nëpërmjet ngritjes së disa objekteve të kultit në Famullinë e Klleznës me vlera arkitekturore dhe artistike. Përveç rëndësisë që paraqesin në aspektin fetar, objektet e kultit të kësaj famulli janë në qendër të interesit të vizitorëve vendas dhe të huaj. Thuhet se në Kllezën ka pasur shumë kisha, kurse tani janë tri, një në Kllezën Poshtë dhe dy të tjera në Kllezën Nalt.

1. Kisha e Shën Gjon Pagëzuesit

Kisha famullitare e Shën Gjon Pagëzuesit, në Kllezën Poshtë (Klleznën e Poshtme), sipas dokumenteve kishtare të shkruara në Monografinë e Argjipeshkvisë së Tivarit, është ndërtuar në kohën e famullitarit Zef Kiri ( 1864-1872). Aty thuhet se kjo kishë të cilën klleznorët e quajnë Kisha e Shëngjinit, është rindërtuar në vitin 187o, ndërsa është rinovuar në vitin 1888 dhe më vonë. Për shkak të dëmtimeve të mëdha të shkaktuara të kishës nga tërmeti i vitit 1979, shërbimet liturgjike janë kryer në kishën me qelën e vogël barakë , dhuratë e Karitasit gjerman, në vitin 1980. Rindërtimi i kësaj kishë, me nismën e Imzot Sinom Filpaj I dhe Ordinariatit të Tivarit ka përfunduar më 30 maj 1998 në praninë e bamirësve nga Gjermania ( Famullia e Shën Chritophor-it).

2. Kisha e varrezave - Shna Prendja

Kishëza e Shën Prendes në Kllezën Nalt ka qenë kishë varresh dhe është quajtur vendi i bekuar i varreve. Edhe këtë kishë famullitare e ka rrafshuar krejtësisht tërmeti. Kishëza e re e mjaft e bukur e Shna Prenës u ndërtua me mjetet financiare të klleznorëve në mërgim në Shtete të Bashkuara të Amerikës, Australi dhe klleznorëve që jetojnë në Komunën e Ulqinit në vitin 2002. Rreth kësaj kishëze, të cilën e kanë rrënuar dy tërmetet e fundit të fuqishëm, janë janë varrezat e klleznorëve të punuara me gurë të lashtë e të gdhendur dhe me mermer të rrethuara me mur betoni. Kjo kishë e cila hijeshon fshatin e vogël Lulaj-Kosiq, ka një kryq në maje punuar prej mermeri të bardhë, kurse sipërfaqet e varrezave pranë saj janë zmadhuar duke duke i shtuar njëpjesë të tokës përreth që, siç shkruan. Rrok Mark Dush Shkreli në librin e mtij “ Në valët e jetës”, ia ka falur kishës e shoqja e Gjon Tomë Harapit.Kishën dhe murin rrethues, sipas këtij burimi, e ka punuar punëmarrësi Ndoci i Filip Ndocit Filipaj prej fisit të Markushejve të Klleznës Poshtë.

3. Kisha e Shën Nikollës

kishë e cila ndodhej në një kodrinë sipër fshatit Kosiq, poshtë malit të Millës, në fshatin e vogël Lulaj , sipas shënimeve të Dom Simon Filipaj I marrë nga një besimtar i besimit islam, është kisha më e vjetër e Anës së Malit. Kisha e re ( kushtuar Shën Nikollës) u ndërtua në themelet e kishës së vjetër me donacione të mërgimtarëve lulanjorë gjatë viteve 2007-2008 .

Famullitarët e Famullisë së Klleznës

Kllezna rregullisht ka pasur meshtarin e vet, ndërsa në raste të rralla të mungesës së tij, famullinë e kanë administruar famullitari i Shëngjergjit ose i Ulqinit. Famullitarët që kanë shërbyer në këtë famulli, siç thuhet në Monografinë e Argjipeshkvvisë së Tivarit, janë si vijon:

Dom Antoni ( 1851);

Dom Mikel Shirqi ( 1864);

Dom Zef Kiri (1867-1872);

Dom Gjon Shkreli;

Dom Mikel Shirqi ( 1879);

Dom Anton Mjeda ( 1882);

Dom Nikollë Gojani ;

Dom Gjon Bushati ( 1888);

Dom Nikollë Radovani ( 1892);

Dom Pjetër Shkreli? (1894 -1898);

Dom Luigj Kroçi ( 1898-1899);

Dom Mikel Shirqi ( 1899-1911);

Dom Nikollë Radovani (1912-1914);

Pater Alberto Espozito ( 1915-1916);

Dom Ndre Plani ( 1016-1921) i varrosur në varrezat e Klleznës Nalt

Dom Luigj Zojzi ( 1921-1922);

Dom Pala Marvuliq ( 1922-1927);

Dom Nikollë Tusha ( 1927-1933);

Dom Jak Llukiq ( 1933-1943);

Dom Josip Kosanoviq ( 1943-1951);

Pater Anselm Marstjepaj;

Dom Mark Bakoçeviq (1954—1966);

Dom Mark Kolloviq ( 1966-1970);

Dom Rrok Mirëdita ( 1970-1973);

Dom Simon Filipaj ( 1973-1999);

Dom Millorad Defar ( 1999-2000);

Dom Nikë Ukgjini( 2000-2003);

Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit ( 2004);

Dom Simo Luliq( 2005-2006);

Dom Robert Jakaj ( 2007-2009);

Dom Palush Gjinaj ( 2009 e këndej );

Kishat në këtë zonë, sikurse edhe xhamitë në të gjitha kohërat e mira, por edhe të vështira veçanërisht gjatë shekullit XIX ,dhe gjysmës së parë të shekullit XX , kanë qenë edhe një vend takimi i krerëve dhe burrave të urtë të Anës së Malit, me qëllim organizimin e mbrojtjes së kësaj treve që rrezikohej nga pushtues e lakmues të ndryshëm.

Kujtojmë se në këto tubime para kishave dhe xhamive kanë marrë pjesë jo vetëm besimtarë, por edhe atdhetarë e nacionalistë të besimit katolik e mysliman, vëllezër të një gjaku, një gjuhe dhe një kombi.

Ajo që i karakterizon anamalasit e të tri besimeve është respekti i ndërsjellë që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë me njëri-tjetrin. Të gjithë e quajnë veten anamalas , pa dallim besimi. Në mes tyre, pohojnë përfaqësuesit e të tri besimeve nuk ka pasur kurrë mosmarrëveshje. Për të mirë dhe për të keq, thonë ata, kemi qenë dhe do të jemi bashkë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat