JETA – Dita ndërkombëtare e fëmijëve

Religjion

JETA – Dita ndërkombëtare e fëmijëve

Nga: Dom Lush Gjergji Më: 1 qershor 2023 Në ora: 16:22
Autori Dom Lush Gjergji

Jemi dëshmitarë të ndryshimeve të shumta dhe të shpejta, të cilat, ende janë në vazhdim, dhe jo gjithmonë, janë edhe pozitive. Një ndër tiparet e shoqërisë industriale dhe pasindustriale moderne është edhe përshpejtimi i jetës dhe i punës, sepse çdo gjë duhet të ndodhë shpejt dhe në mënyrë të suksesshme. Kështu doli në pah varfërimi i jetës, marrëdhëniet ndërnjerëzore sipërfaqësore, seleksionimi i jetës njerëzore në disa pjesë dhe humbja e kuptimit të tërësisë. Njeriu është qenie shoqërore, në “rrjetin” e marrëdhënieve ndërnjerëzore, duke u nisur prej nënës, babait, vëllezërve dhe motrave, deri te rrethi më i gjerë. Kjo edhe është përmbajtja e jetës, prej fillimit e deri në vdekje, sepse njeriu jeton, punon, vepron, planifikon, komunikon, krijon, dashuron… në rrjetin e marrëdhënieve ndërnjerëzore. Mu për këtë, mund të themi edhe kështu: NJERIU ËSHTË QENIE NË MARRËDHËNIE dhe JETOJMË AQ SA KOMUNIKOJMË – DASHUROJMË.

Dikur jeta e njeriut ishte në rrezik, nga kushtet dhe rrethanat e vështira të punës, të banimit, të mungesës së ushqimit dhe të veshmbathjes, varfërisë së skajshme, si dhe nga sëmundjet e ndryshme ngjitëse. Kjo gjendje, fatkeqësisht është e vërtetë ende në disa vise të botës, aty-këtu edhe ndër ne, sepse pasuria, përparimi, teknologjia ende është “pronë” e të pasurve dhe të fortëve, e pakicës, që sundon mbi shumicën, mbi të varfëritë.

Për ne të krishterët, jeta është dhurata më e madhe, më e bukur, më e mrekullueshme e Zotit me ndërmjetësinë dhe bashkëpunimin e prindërve tanë. Me jetë kemi fituar edhe mundësinë për njohuri – mendjen, intelektin, arsyen, vullnetin e lirë – për përcaktime, orientimi dhe zgjidhje jetësore; kemi fituar të folurit – për t’i shprehur mendimet, dëshirat, planet, nevojat, vetveten; zemrën – aftësinë për të dashuruar dhe shpirtin e pavdekshëm, i cili, gjithnjë ka mall, etje, uri për Zotin, që edhe na bën të ngjashëm me të, të pavdekshëm.

Për disa të tjerët, jeta është vetëm peshë, barrë, ngarkesë, sepse nuk e kanë “gjetur” vetveten, nuk dinë përse jetojnë, çka të bëjnë me jetë dhe në jetë.

Disa të tjerë, janë në kërkim, në rrugë, diçka dinë mbi jetën dhe nga jeta, por ende s’kanë përvojë, përcaktime, bindje personale.

Një gjë e dimë dhe e pranojmë të gjithë: jetën nuk e kemi prej vetvetes, por prej të tjerëve. Dhe tjetra: çdo njeri i gjallë, doemos duhet edhe të vdesë, por prapë si fillimi, lindja, pa pëlqimin tonë, pa na pyetur a duam të lindim, të jetojmë, të vdesim, kur, ku, pse dhe si?

Pra, fillimi i jetës, lindja, si dhe mbarimi i saj, vdekja, për ne besimtarët kalimi në amshim, s’është në dorë tonë, nuk varet aspak prej nesh, është një fshehtësi e madhe.

Atëherë ku është përgjegjësia jonë? Në zgjidhjen e rrugës, drejtimit, përcaktimit, cakut, qëllimit të jetës sonë, si dhe në mbrojtjen, kultivimin, edukimin, dhurimin e jetës, përgjigjja në këto pyetje themelore: kush jam unë? Përse jetoj dhe veproj? Çka kërkoj dhe pres prej jetës? Si mendoj dhe dëshiroj të realizohem?

Jeta ka shumë dimensione. Unë do t’i numëroj vetëm disa:

Përbërja fiziologjike-trupore, psikike dhe shpirtërore, si qenie e “kombinuar”. Në prizmin e kohës: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Dhe në anën e marrëdhënieve: me vetveten, me të tjerët dhe me Zotin.

Suksesi dhe lumturia në jetë, varet kryesisht prej HARMONIZIMIT të elementeve themelore, pa të cilat njeriu është i COPËTUAR, i ngarkuar, në luftë me veten apo edhe me të tjerët. Mospranimi apo mospërfillja e njeriut në gjitha dimensionet është dhunë, robëri, kufizim, jetën e njeriut e bën të vështirë dhe të pamundshme.

Jeta sot nënçmohet, rrezikohet, anësohet, haptas luftohet dhe vritet në mënyra të llojllojshme dhe institucionale. Disa mohojnë të kaluarën, historinë, rrënjët, disa të tashmen, disa edhe ardhmërinë. Disa jetojnë vetëm jetën trupore, pa atë psikike, sidomos atë shpirtërore. Disa janë në “luftë” me vetveten, edhe më keq me të tjerët, atëherë kuptohet edhe me Zotin.

Tagore i madh thoshte: “Jeta na është dhënë si dhuratë, ne atë disi e meritojmë vetëm duke u dhuruar...Jeta është mrekullimi i vazhdueshëm”.

“Jeta matet me vepra e jo me ditë” (Metastasio).

“Jetohet vetëm një herë. Mirëpo nëse jeton mirë, mjafton” (J. Williams).

Jezu Krishti shkon edhe më thellë dhe thotë: “S’kam ardhur të më shërbejnë, por të shërbej dhe ta jap jetën tim për të gjithë!”

Koncili i Dytë i Vatikanit i ka dënuar rreptë të gjitha kufizimet, kërcënimet dhe rrezikimet e jetës. “Përveç kësaj, çdo gjë që kundërshton jetën si çfarëdo vrasje, gjenocidi, dështimi (abortimi), eutanazia, po edhe vetëvrasja, të gjithë ata që dëmtojnë integritetin e personalitetit të njeriut, siç janë cungimet, maltretimet trupore dhe morale, dhuna psikike; çdo gjë që fyen dinjitetin, siç janë kushtet jonjerëzore të jetës, burgimet e paarsyeshme, depërtimet, robëritë, prostitucioni, tregtia me fëmijë dhe me rini; pastaj edhe kushtet ç’njerëzore të punës, ku njerëzit trajtohen porsi mjet fitimi dhe jo si persona të lira dhe përgjegjëse: të gjitha këto dhe sjelljet e ngjashme janë vërtet të turpshme, dhe ndërsa helmojnë qytetërimin njerëzor, edhe më tepër i ndyjnë ata që sillen ashtu, se sa ata që vuajnë padrejtësinë, dhe kundërshtojnë nderimin e Krijuesit” (GS 27 në Dokumentet konciliare, përktheu Imzot Nikë Prela, Drita, Ferizaj 1992, fq. 126-127).

Papa Gjon-Pali II, në enciklikën “EVANGELIUM VITAE” Ungjilli i Jetës edhe një herë vendosmërisht ngritët në mbrojtjen e jetës nga format, sulmet dhe kërcënimet e ndryshme (lexo: Giovanni Paolo II, Evangelium Vitae, Citta’ del Vaticano, 1995, nr. 12-18).

Dhe çka është edhe më keq, jeta rrënohet dhe anësohet në emër të lirisë subjektive dhe të përparimit të njerëzimit.

Çdo fazë apo periudhë jetësore ka veçoritë e veta. Sipas mendimit dhe vlerësimit tim botëkuptimi i jetës së sotme ka dy veçori dhe skajshmëri:

1. Dëbimin – mospranimin dhe shkatërrimin e jetës së re, dështimin, si paaftësi e njeriut për komunikim e jetës dhe të dashurisë frytdhënëse;

2. Dëbimin – mospranimin, anësimin dhe largimin e të moshuarve.

“Zoti është zotëruesi absolut i jetës së njeriut të cilin e ka krijuar në përngjasimin e tij (krh. Zan 1, 26-28). Në Kishën e hershme të shekujve të parë dihet se vrasja e njeriut trajtohej ndër tri mëkatet më të rënda, së bashku me shkëputjen nga feja e vërtetë dhe kurorë thyerjen, dhe për këto mëkate bëhej edhe pendesa botore mjaft e rëndë dhe e gjatë” (EV 54).

“Kjo është edhe e kuptueshme: mbytja e qenies njerëzore në të cilin është i pranishëm përngjasimi i Hyjit, është mëkat me peshë të posaçme. Vetëm Zoti është sundimtari i jetës!” (EV 55).

Vlerat e sotme tipike, mund t’i përmbledhim në disa pika: puna, fitimi, suksesi, shëndeti, bukuria, rinia, martesa apo bashkëjetesa, seksi, argëtimi, popullariteti… Pasi që këto vlera, dhe shumë tjera, që disi i parashtron bota e sotme, s’mund t’i ketë foshnja, fëmija, as plaku dhe plaka, ja pra edhe dëbimi i tyre rrënjësor dhe vlerësimi i tyre më tepër si barrë, pengesë dhe vështirësi për familje dhe për shoqëri.

Dëbimi i fëmijëve dhe i të moshuarve, sipas mendimit tim, paraqet varfërimin e madh të jetës njerëzore, sterilitetin e dashurisë, vetëvrasjen e Perëndimit, botës të së pasurve financiare, por të varfërve në aspektin moral dhe shpirtëror. Më duket se sot njeriu gati ka humbur duresën, kuptimin e pritjes dhe të flijimit, prandaj është bërë “konsumues” apo harxhues i jetës.

Nëse jeta vlerësohet vetëm në prizmin e kohës së tashme, dhe edhe më tepër e “ngarkuar” nga kriteret që i kemi përmendur më parë, atëherë ajo shëmtohet dhe humb kuptimin e thellë të tërësisë. Shi nga kjo pikëpamje s’pranohet zanafilla e jetës, fëmija, fëmijëria, sepse prindërit, të rriturit, të punësuarit… s’kanë kohë, s’kanë mjete, s’kanë struktura, s’kanë shëndet, s’kanë… Më duket se këto dhe shumë arsyetime tjera, s’kanë rëndësi vendimtare, por janë vetëm përligjim. Lypset thënë qartas, se në shumicën e rasteve mungon kuptimi dhe pranimi i jetës, ndjenja e kënaqësisë dhe falënderimit se jemi gjallë, pra, mungon dashuria për jetë dhe për flijim, s’kanë kurrfarë dashurie!

Kështu fillon dëbimi i jetës si tërësi, që shpallet në dy mënyra dhe trajta, me dëbimin e fëmijës dhe të pleqërisë. Pleqtë i takojnë së kaluarës, ndërsa ne jetojmë të tashmen, këtu dhe tani. Për fat të keq, kështu mendojnë dhe veprojnë shumë njerëz. Ky ngushtim i botëkuptimit të jetës, gati përjashton të kaluarën – pleqërinë, si dhe të ardhmen – fëmijërinë, kurse e tashmja vlerësohet si vlerë absolute, si mos të kalonte kurrë dhe mos të ishte fryt i së kaluarës.

“Çdo ditë është histori” thoshte W. Shakespeare, duke theksuar risitë dhe dinamikën e jetës.

“Jeta kuptohet duke shikuar mbrapa, jetohet duke shikuar përpara” (L. Buscaglia).

“Njeriu lind për të jetuar, jo për t’u përgatitur për jetë” (B. Pasternak).

Harrohet e vërteta bazë: S’KA RINI PA FËMIJËRI. S’KA PLEQËRI PA FËMIJËRI DHE RINI! S’ka jetë vetëm për sot, apo si thotë mirë fjala e urtë popullore shqiptare: S’KA SHTËPI PA PLEQ DHE PA FËMIJË, ose tjetra: MJERË AJO SHTËPI QË S’KA PLEQ DHE FËMIJË.

Familja shqiptare, si dhe çdo familje tjetër, ka disa veçori dhe tipare dalluese që i kemi trashëguar me shekuj. Kultura dhe qytetërimi ynë shumëshekullor shqiptar shprehet nëpërmes DASHURISË DHE FLIJIMIT PËR JETË, PËR TË TJERËT.

Këtu do t’i përmendi vetëm dy trajta dalluese:

Pranimi i fëmijës së palindur qysh nga ngjizja;

Kujdesi dhe dashuria ndaj njerëzve të moshuar, si pranim dhe dashuri ndaj jetës prej zanafillës e deri në kalim në amshim.

Këto janë dy hallkat kryesore që ndërlidhen dhe e përbëjnë zinxhirin e jetës.

“Vërtet pacenueshmëria absolute e jetës së pafajshme të njeriut është e vërteta të cilën haptazi na mëson Shkrimi Shenjt, gjithnjë e ruan Tradita e Kishës dhe njëzëri e parashtron Magjisteri…”(EV 57).

Papa Gjon Pali II e thekson rrezikimin dhe cenimin e jetës “në veçanti në zanafillën dhe në mbarimin e jetës” (EV 57).

“Ai që vritet është qenie njerëzore që fillon jetën, i pafajshëm aq sa as që mund të mendohet; kurrë s’guxojmë ta trajtojmë si sulmues, edhe më pak si sulmues të padrejtë… Dhe, ja, mu nëna është ajo e cila vendos dhe kërkon shkatërrimin, bile atë edhe e porosit” (EV 57).

Papa po ashtu e dënon edhe eutanazinë “si veprim apo lëshim që ka për qëllim shkaktimin e vdekjes për të ikur nga çdo dhembje” (EV 65).

Pranimi dhe mbrojtja e jetës së pambrojtur, fëmijës së palindur, si dhe i jetës së rrezikuar në pleqëri, për mua është një ndër veçoritë më të larta dhe më të bukura, do të thosha edhe shenjte, për traditën dhe kulturën shqiptare lidhur me botëkuptimin e jetës. Këtu gjendet fshehtësia e mbijetesës shekullore dhe e vitalitetit aktual të popullit shqiptar.

Kjo vlen edhe më tepër sot kur “bota moderne” në çdo mënyrë dhe me çdo masë lufton kundër fëmijëve dhe kundër pleqve, pranon dhe pëlqen vetëm fazën e rinisë dhe atë të pjekurisë.

Ky, pra, është dhe do të jetë boshti ynë për ta ruajtur, kultivuar she mbrojtur jetën në çdo kohë dhe periudhë, si dhuratë dhe dhunti të shenjte të Zotit dhe të dashurisë njerëzore.

“Burimi i përbashkët i këtyre drejtimeve është relativizmi etik që e karakterizon pjesën më të madhe të kulturës bashkëkohore”(EV 70).

“Abortusi dhe eutanazia janë, pra, krime për të cilat asnjë ligj njerëzor s’mund të jep leje”(EV 73).

“Vend të posaçëm duhet t’iu japim të moshuarve…Plaku s’duhet të trajtohet vetëm në pikëpamjen e kujdesit, të afërsisë dhe të shërbimit. Edhe ata i japin përkrahje të çmueshme Ungjillit të Jetës. Duke falënderuar trashëgiminë e pasur të jetës , të cilën e kanë fituar gjatë jetës së tyre, pleqtë mund dhe duhet të jenë ndarës të urtisë, dëshmitarë të shpresës dhe të dashurisë” (EV 94).

Sot fatkeqësisht kultura e jetës është ndërruar në kulturën e vdekjes, ndërsa qytetërimi i dashurisë në atë të urrejtjes, të ndarjeve dhe përçarjeve të ndryshme që rrezikojnë fatin e njeriut dhe të njerëzimit.

Filozofia e jetës është tejet e qartë dhe shumë e thjesht, njëkohësisht e vështirë dhe e thellë: JETA OSE PRANOHET NË TËRËSI OSE S’PRANOHET ASSESI.

“Nëse e do jetën, jeta e shpërblen dashurinë tënde” (A. Rubinstein).

“Jeta pak cak, është bredhje” (Seneka).

“Kush nuk e çmon jetën, as nuk e meriton atë” (L. Da Vinci).

Nëse fëmijët dhe pleqtë janë masë për ta vlerësuar sa dhe si pranohet jeta, si edhe janë, atëherë lirisht mund të themi: sot jeta është në rrezik të madh, qysh prej fillimit e deri në mbarim. Sot, shumëkush ka FRIKË PREJ JETËS, EDHE MË TEPËR PREJ VDEKJES! Ja, pra, burimi i pakënaqësisë dhe shqetësimit, pësimi i jetës e jo jetësimi i saj në kohë dhe në hapësirë.

Tradita dhe kultura shqiptare, është në këtë “përjashtim” për të mirë, sepse neve ndoshta na mungon identiteti dhe personaliteti bazor, individual, personal, por jo edhe ndjenja familjare dhe e bashkësisë. Mu për këtë, ne jemi fatbardhësisht ende të gatshëm për flijim, për altruizëm, për proekzistencë, për jetën me të tjerët dhe për të tjerët. Këtu, edhe gjendet burimi dhe kujdesi për fëmijë dhe për familje, dashuria dhe pranimi i jetës prej zanafillës e deri te ofshama e fundit para kalimit në amshim.

Atë Giuseppe (Zef) Valentini, thoshte në mënyrë simbolike kështu: Shqiptari lind nga kraharori i nënës, por jo edhe nga gjiri familjar, sepse jeton dhe vepron gjithnjë në familje, me familja dhe për familja.

Të mirat tona shekullore, s’duhet t’i harrojmë, por edhe të mirat e të tjerëve duhet t’i përvetësojmë. Ne, si shqiptarë, duhet ta mësojmë gjithnjë e më shumë artin e bashkëjetesës dhe të bashkëpunimit, që mos të jemi gjithnjë ose individualist të tepruar, si dua apo them unë e s’ka tjetër, ose njerëz anonim që shkrihemi në mori, në masë, në turmë, me parim tashmë të njohur: si jetojnë dhe veprojnë të tjerët, të gjithë, ashtu edhe unë – ne. Kjo kërkon prej nesh aftësia për të qenë vetvetja, unë, gjithnjë, por edhe për t’ua mundësuar edhe të tjerëve që të jenë vetvetja. Kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet bisedimit, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor.

Pa unë s’ka as ti; Pa unë dhe ti s’ka ne; ndjenja e përkatësisë së përbashkët .

Nëse kemi pasur, shpresoj se ende kemi nderim të madh për dy pikat e skajshme të jetës, për zanafillën dhe përfundimin e jetës tokësore, përse atëherë mos ta nderojmë dhe çmojmë jetën edhe në të gjitha fazat tjera, sidomos duke luftuar vendosmërisht dukurinë e shëmtuar dhe kanceroze të gjak apo hak-marrjes, e cila tashmë, s’është asgjë tjetër përpos vetëvrasje dhe vëllavrasje, si dhe ngatërresat, ndarjet dhe përçarjet tona të llojllojshme?

Kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë, të cilën aq bukur e ka dëshmuar Nëna jonë Tereze në mbarë botën, duhet të jetë përcaktimi ynë për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.

E lumja Nëna jonë Tereze thoshte: “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptime” dhe vazhdonte kështu: “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat