Dom Ndue Gjergji, 50 Vjet në shërbim të Krishtit dhe të Atdheut: Dedikim me rastin e 50- vjetorit të meshtarisë

Religjion

Dom Ndue Gjergji, 50 Vjet në shërbim të Krishtit dhe të Atdheut: Dedikim me rastin e 50- vjetorit të meshtarisë

Nga: Valentin Lumaj/Michigan Më: 13 gusht 2023 Në ora: 22:52
Dom Ndue Gjergji

Historia e Shqipërisë mbas Gjergj Kastriotit dhe formimit të ndërgjegjes kombëtare, në të gjitha stacionet kryesore të ekzistencës së saj, identifikohet me figura të shquara fetare, sidomos të klerit katolik, që nga nga pesë Papët shqiptarë që shërbyen në shtetin e Vatikanit, që nga Buzuku, Budi dhe Bogdani, Mjeda dhe Fishta, e deri tek shenjtërsha Nëna Terezë. Nga ky këndvështrim, në rrjedhën e ndritur te historisë shqiptare te shekullit te 20 dhe 21, veçojmë edhe meshtarin Dom Ndue Gjergji, i cili nën dritën e Krishtit, gjithë jetën dhe veprën e tij, deri në këtë 50 vjetor të meshtarisë, ai ja ka kushtuar dhe vazhdon t’ja kushtojë Zotit dhe kombit.

Dom Ndue Gjergji lindi në Stubullën e Epërme. Ai vjen njëfamilje e pastër dhe fisnike shqiptare, e cila i ka dhënë Kishës dhe kombit shqiptar disa meshtarë të nderuar: te ndjerin Dom Gjergj Gjergji, Dom Lush Gjergji, dom Aleksandër Gjergji dhe Dom Ndoun e të tjerë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Është diplomuar në Romë në degën e teologjisë në vitin 1973. Është shuguruar meshtar në Komunën e Binçës më 11 gusht 1973, nga i ndjeri ipeshkëvi Mons. Nikë Prela.

Pas shugurimit meshtar Dom Ndou, ka shërbyer për vite me radhë me përkushtim e dashuri në famullinë e Binçës, nga viti 1975 – 1993.

Takimi i parë i Dom Ndout me të lumen Shenjtja Nëna Tereze në vitin 1976, sigurisht që ka qenë një nga shtysat dhe motivimet kryesore të Dom Ndout në rrugëtimin e tij meshtarak.

Në Vitin 1997, Dom Ndue Gjergji emërohet ambasador i Kishës Shqiptare në SHBA, pikërisht në Kishën e Zojës Pajtore.

Komuniteti katolik shqiptar në Michigan, kishte 25 vjet në atë kohë, pra në vitin 1972, që kishte themeluar famullinë e vet katolike të pagëzuar me emrin e Zojës Pajtore të Shqiptarëve, nën drejtimin e famullitarit historik dhe legjendar të kësaj Kishe, Dom Prenk Ndrevashaj. Viti 1997, kur Dom Ndue Gjergji, erdhi në Kishën “Zoja Pajtore”, gjeti një komunitet solid dhe të integruar dhe një famulli të mire-organizuar, kjo jo vetëm në shërbesat kishtare dhe shpirtërore, por edhe në aktivitete të tipit laik të kulturës dhe traditës shqiptare.

Ardhja e një meshtari të ri, sodhi një stil dhe mentalitet të ri në Famullinë tonë. Dom Ndou fitoi shumë shpejt besimin dhe zemrat e besimtarëve por edhe të komunitetit në pergjithësi. Pregatitja e bollshme intelektuale, thjeshtësia, ndershmëria, pervuejtnia dhe pasioni për t’u shërbyer nevojtarëve në çdo kohë, këto ishin tiparet e para dhe në vazhdimësi të famullitarit tonë të nderuar, Dom Ndue Gjergji.

Qysh nga ajo kohe Kisha jonë nën drejtimin e dom Ndout, ka njohur rritje te vazhdueshme, si në aspektin fetar te predikimit të fjalës së Zotit, por edhe në aspektin e jetës shoqërore, letraro-artistike, si dhe të promovimit të vlerave atdhetare e patriotike te komunitetit shqiptar këtu në Michigan.

Në kuadër të aktivitetit në shërbim të Kishës, Dom Ndou vazhdoi misonin e Dom Prenk Ndrevashës në mbajtjen e meshëve disa herë në javë, pagëzime, krezmime sakramente të tjera që çoi në rritjen e familjeve anëtare të Kishës. Dëshiroj të theksoj përkushtimin dhe përkujdesjen e pandërprerë të Dom Ndout ndaj të sëmurëve, njerëzve të braktisur, çifteve me mosmarrëveshje, personave të depresuar dhe çdo njeriu në nevojë, jo vetëm të famullisë tonë, por të komunitetit të gjerë shqiptar, me këshilla frymëzuese, me lutje dhe ndihma financiare.

Dom Ndue Gjergji solli në famullinë tonë të Zojës Pajtore, një plejadë të re aktivitetesh. Kryesor dhe që ja vlen të përmendet ka qenë dhe vazhdon të jetë udhëtimi dhe marrja pjesë në “March for Life”, një marshim proteste kundër abortit, që organizohet çdo vit në Ëashington DC, nga pjesëtarë të Kishave të ndryshme, besimtarë dhe rinia konservatore amerikane. Me gjithë rrugën e gjatë dhe veshtirësitë e udhëtimit në mes të dimrit, nganjëherë me rrugë të akullta dhe borë, në asnjë rast Dom Ndou nuk hoqi dorë nga organizimi i këtij udhëtimi në mbrojtje të jetës.

Tjetër aktivitet përmend udhëtimin peligrinazh të Famullisë tonë në Bazilikën National Shrine në Ohio, ku përveç lutjeve dhe përkushtimit, pelegrinët shqiptarë kanë rast të mblidhen në grupe familjare dhe argëtim në natyrë.

Përveç detyrës së tij meshtarake, për vetë faktin që kjo detyrë ushtrohej në Diasporë, koha dhe ndergjegja e tij kombëtare e mbruajtun në gjakun e tij të pastër shqiptar, e thirri edhe në një mision tjetër, po aq të rendësishëm sa është edhe përkushtimi ndaj Zotit, ruajtja e ndjenjës, traditës dhe identitetit kombëtar në shqiptarët e emigruar në Amerikë. ”Për Fé dhe Atdhe”, siç thotë Dom Ndou shpesh, ka qenë motoja që i ka prirë atij në rrugëtimin e tij meshtarak në Famullinë tonë 50 vjeçare.

Një ndër aktivitetet kryesore shoqërore të Famullisë së Zojës Pajtore, ka qenë dhe mbetet Festivali tradicional, që mbahet çdo vit ne ambientet e Kishës tonë, në fundjavën e festës Amerikane të Punës (Labor Day). Suksesi i këtij aktiviteti shoqëror, nukmund të kishte mbijetuar dhe të kishte qenë kaq i suksesshëm, po të mos kishte qenë gadishmëria dhe pasioni i dom Ndout. Rreth gjashtë muaj përpara çdo Festivali, dom Ndou kishte si kujdes parësor, thirrjen e Këshillit të Kishës për të filluar pregatitjet, çdo vit një risi, çdo vit një vështirësi e re, por çdo vit edhe me i suksesshëm, kjo falë urtisë, eksperiencës dhe frymës pozitive të përçuar ndër anëtarët e Këshillit dhe në komunitet nga Dom Ndou. Nga mbledhjet pafund të Këshillit të Kishës, është e pamundur të mos jetë prezenca e tij. Edhe nëse ndonjëherë ai mungon, këshilltarët dinë të vazhdojnë punën, të gjithë e dinë çfarë është mirë për Kishën tonë.

Në vazhdim të kësaj tradite dhe qëllimit parësor të përçimit të vlerave, traditës dhe kulturës shqiptare ndër brezat e rinj shqiptaro-amerikanë, ka qenë edhe organizimi i Festivalit mbarëkombëtar në qendër të metropolit të Michiganit në Hart Plaza në Detroit, ku gjithmonë Dom Ndue Gjergji ka qenë bashkëudhëheqës i grupit organizator.

Përveç Festivaleve vjetore, jeta shoqërore e Famullise plotësohet me aktivitete të shumë-llojshme priodike apo të përvitshme. Festa e Flamurit dhe e Pavarësisë është traditë që përsëritet çdo 28 Nëntor dhe festohet në mënyrë madhështore dhe dinjitoze.

Në përmirësim dhe përmbushje të ketij misioni kombëtar, Dom ndue Gjergji ka lënë shenjën, firmën dhe vulën e tij, si ideator dhe drejtues i Komisionit Organizator te Simpoziumit Shkencor “100 Vjet Pavaresi” të zhvilluar më 27 dhe 28 Nëntor 2012, në sallën e Kishës Zoja Pajtore. Gjithashtu nën dejtimin e tij, u botua libri me përmbledhje të të gjitha punimeve të këtij Simpoziumi.

Po ashtu Dom Ndue Gjergji drejtoi Komisionin Organizator te Akademisë Shkencore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” me 27 dhe 28 Janar 2018, të organizuar në sallën e Kishës Zoja Pajtore. Dom Ndou ishte një ndër ideatorët e propozimit të Diasporës për shpalljen e Gjergj Kastriotit “At i Kombit”, projekt i cili ka mbetur në sirtarët e ministrive të Qeverive shqiptare.

Nën kudesin e Dom ndout, ka pasur në vazhdimësi promovimete veprave te shkrimtarëve, celebrime familjare, fejesa, dasma dhe hatre. Nga ana tjetër, nuk ka aktivitet kombëtar apo shoqëror të dorës së parë, që Dom Ndou të mos jetë i pranishëm dhe pjesë e grupëve organiztore.

Dom Ndue Gjergji njihet edhe si një menaxher i shkëlqyeshëm me njohuri dhe aftësi të mëdhaja si në mbledhjen e fondeve, po ashtu edhe në proceset arkitektuale, ndërtimore dhe planifikuese.

Si meritë e punës organizuese të Don Ndout dhe përgjigjes në kohë të Famullisë, u bë e mundur sigurimi i këtij ambienti te ritë Kishtar që kemi sot. Një Kishë me hapsira dhe ambiente të mjaftueshme për të gjitha rastet dhe nevojat e Famullisë dhe të komunitetit.

Dom Ndue Gjergji është ideatori dhe promotori, që nëpërmjet fondit të Kishës Zoja Pajtore të Shqiptarëve, donacioneve tëFamullisë dhe të komunitetit shqiptar, financoi ndërtimin e sallës dhe ambienteve të mësimdhënies të Qendrës Kulturore ”Nënë Tereza”. Kjo Qendër Kulturore, megjithëse ndodhet në hapësirat e Kishës Zoja Pajtore, ajo është një qendër multi-funksionale, me klasa të gjuhës shqipe, të valles, instrumenteve etj., në shërbim të komunitetit shqiptar të të gjitha besimeve në Michigan. Falë ideve dhe atdhedashurisë së Dom Ndue Gjergjit, gjuha, traditat dhe kultura shqiptare është mbajtur dhe vazhdon të mbahet gjallë në komunitetin shqiptar në Michigan.

Dom Ndue Gjergji, në mënyrë të vazhdueshme ka ndihmuar financiarisht dhe në forma të tjera, qindra familje në nevojë të komunitetit shqiptar. Pas fatkeqesisë natyrore të tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri, Dom Ndou ishte nismëtar i mbledhjes sëfondeve të konsiderueshme në ndihmë të familjeve të prekura nga ky tërmet.

Si rezultat i këtij aktiviteti të gjerë dhe shumëdimensional të Kishës tonë të drejtuar nga Dom Ndue Gjergji, në shtator te vitit 2013, Kisha e Zojës Pajtore vlerësohet me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, mbas vizitës që Presidenti i Shqiperisë, i ndjeri Bujar Nishani, vizitoi Kishën tonë dhe komunitetin në Michigan.

Ndërsa në Korrik të vitit 2022, në vlerësim të punës dhe kontributeve në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare shqiptare, Presidenti i Shqipërise, Ilir Meta do të vlerësonte me meritë të plotë Dom Ndue Gjergjin, me dekoratën e artë “Nënë Tereza”.

Mbas 25 vitesh shërbesë dhe përkushtim, tek personi i DomNdue Gjergjit, në aspektin religjioz, dallojmë një “kalorës” te devotshëm të Krishtit, një apostull, që në asnjë moment nuk pushon predikimin e ungjillit, dhënien e këshillës dhe fjalës së mirë. Në aspektin individual, tek Dom Ndue Gjergji shohim njeriun e mire, te përvuejtun, te mençur, të paqtë, njëkohësisht stoik dhe qëndrestar i së drejtës dhe të vërtetës njerëzore. Si njeri publik, Dom Ndou lehtësisht mund ta identifikojmë si strateg të paqes në mes shqiptarëve të përmbledhur në kulte të ndryshme fetare, shoqata dhe parti. Nëse ndër shqiptarë ka një mosmarrëveshje apo “gërvishje”, Dom Ndou do të thërritet dhe gjendet aty në do kohë të ditës apo natës, ku fjala e tij kthehet në “melhem shërues mbi plagët”. Tek Dom Ndou, sado i madh të jesh, para tij je i vogël sado i mençur të jesh, para tij ndihesh i paformuar, sado guximtar të jesh para tij ndihesh i dobët, sado ieator i mirë të jesh para tij gjen vizione dhe rrugë të reja, para dom Ndout të vogël, sikurse para Zotit të padukshëm, ndjen madhështinë dhe ndrojtjen. Dom Ndue Gjergji, si Bari i mirë, e ka ruajtur dhe e ruan me kujdes grigjën e vet të Zojës Pajtore të shqiptarëve.

Kanë thënë për Dom Ndue Gjergjin:

“BARIU I SHQIPTARËVE

në Kishën tonë në Michigan, “Pajtorja e Shqiptarëve” është një ikonë e gjallë e besimit, e mirësisë dhe besës shqiptare. Ka mbi dy dekada që shërben këtu me përkushtim, me dashuri pa fund, në gjuhën amë shqipe, atë liturgjike që u qëndroi shekujve si një kështjellë dhe shpalos vlera të pavdekshme katolike dhe në SHBA, aleatin jetik të Kombit shqiptar.

Dom Ndou Gjergji është miku i të gjithëve, ka mirësinë dhe buzëqeshjen e motrës së Tij. Shenjtes Nënë Tereza, meshtarit i sëMirës dhe i Dritës…”

Visar Zhiti,

Shkrimtar, poet, diplomat.

“Per hir te punës së dom Ndue Gjergjit, binomi historik Fe e Adhe është sot ma i fortë.

Puna e tij për këtë binom, të martirizuem nga komunistët afetare (une jam dëshmitar!) do të çmohet në historinë tonë të mbrojtjes së fesë dhe atdhuet. ZOTI I MADH BEKOFTE JETËN DHE PUNEN TUEJ.

Vllazënisht

Sami Repishti, Ph.D.

ish i burgosun politik ne Shqiperine komuniste (1946-56)

dhe Jugosllavine komuniste (1959-60)

“E njoh personalisht Dom Ndue Gjergjin, si një udheheqës shpirtëror si dhe një lider popullor që me mençuri e urtësi di të drejtojë, të organizojë , te falë, të mësojë, të edukojë të gjithë ata që e duan besimin Katolik që predikojnë. Ai di të bashkëpunojëme institucionet si motra si kishtare ashtu edhe me xhaminë dhe Teqenë, se kështu janë të meshiruara cilesitë e tij si udheheqës shpirteror dhe lider popullor ! Respekt”

Dr.Ruki Kondaj PhD, MSC , RA)
Ambasadore Kombi ).

Presidente Nderi e Shoqatës Bashkësia ShqiptaroKanadeze,Toronto

“Dom Ndou ishte një ndër seminaritat më të devotshëm në Dubrovnik. Adhuronte studimet dhe ishte shumë I respekturshëm nga eprorët. Aq i devotshëm ishte Dom Ndou, sa mori nderin dhe detyrën e Prefektit të Kongrgacionit Marijan. Ndërsa në sport, në fotboll ka qenë I talentuar”.

Gjeka Gjelaj, Ph.D (doktor i shkencave Filosofike)

“…Falenderoj Zotin për përkushtimin dhe miqësinë e Dom Ndue Gjergjit. Jam i nderuar dhe i bekuar që e kam njohur, ta quaj mik, ta quaj vëlla. Zoti vazhdoftë ta bekojë shërbesën e tij dhe ju mund të vazhdojë ta ndjekë Jezusin kudo që Ai ju thërret të shkojë”.

Lek Brisku

I pari xhakon shqiptar në shtetin Chicago

Zoti e bekoftë nanën dhe babën e të lindën, Zoti e bekoftë Dom Ndue Gjergjin dhe Famullinë e Zojës Pajtore!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat