Të gjithë së bashku për një Tuz të pastër dhe të shëndetshëm

Reportazhe

Të gjithë së bashku për një Tuz të pastër dhe të shëndetshëm

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 12:38
Pamje nga Tuzi

Komuna e Tuzit po bën përpjekje që çdo ditë të marrë pamje të re, të bukur dhe të lulëzuar. Me gjithë angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe rregullimin e mjedisit, që ai të jetë e gjelbër dhe e pastër, Tuzi me rrethinë po lëngon, si shumë qytete tjera, nga ndotja dhe hedhja e mbeturinave në shumë raste aty ku nuk e kanë vendin, pranë koshave të plehrave, duke krijuar madje edhe deponi të egra përgjatë rrugëve. Kjo pamje e shëmtuar e ambientit të jashtëm nga mbetjet urbane është edhe dukuri shqetësuese, e cila rrezikon shëndetin dhe mirëqenien e çdo qytetari. Si e tillë, kohën e fundit ka zgjuar vëmendjen e popullatës vendore, por edhe të kalimtarëve të rastit. Pjesa më e ndotur nga hedhja e materialit ndotës është identifikuar nga Dheu i Zi e deri në qendër të Tuzit. Në atë zonë periferike të qytetit javën e kaluar u organizua një aksion për pastrimin e mbeturinave të hedhura përgjatë rrugës, një përpjekje kjo për ndërgjegjësimin e komuniteteve lokale për mbrojtjen e mjedisit të përbashkët natyror. Ky aksion vullnetar, në të cilin u përfshinë punonjësit e Ndërmarrjes Komunale të Tuzit dhe qytetarë të ndërgjegjshëm të cilët e duan një mjedis të pastër, dëshmoi për nevojën e ndërgjegjësimit të popullatës vendore, por edhe të institucioneve mbi domosdoshmërinë e mbrojtjes së ambientit të jashtëm. Të gjithë pjesëmarrësit me shembullin e tyre treguan se mbrojtja e mjedisit nuk është asgjë tjetër përveçse mbrojtja e jetës dhe se ruajtja e mjedisit është ruajtja e vetë jetës së njeriut, pra edhe e tyre.

Mesazhi i tyre ishte i qartë: “Të kujdesemi të gjithë së bashku për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm”. Parimi dhe apeli i tyre ishte: “Mos ndotni”! Dhe të mos ndotësh ka dy parime. Parimi i parë është edukata qytetare, kurse parimi i dytë është ndëshkimi ligjor. Njëri parim pa tjetrin është i pasuksesshëm, andaj duhen gërshetuar të dyja. Ishte kjo një thirrje që të gjithë së bashku qytetarët e Malësisë (Komunës së Tuzit) të solidarizohen në pastrimin e oborrit të shtëpisë së tyre të përbashkët. Aq më tepër ishte edhe një mision qytetar që gjithsecili prej tyre ka ndaj qytetit e zonës ku jeton. Dhjetëra thasë të grumbulluar atë ditë me lloj-lloj mbetjesh treguan se jo vetëm pastrimi ka rëndësinë e vet, por edhe mirëmbajtja e mjedisit ku jetojnë e veprojmë çdo ditë është shumë e rëndësishme.

lokale nga veprimet e tilla të kontributit vullnetar të qytetarëve të Tuzit në të mirë të shëndetit të tyre dhe zhvillimit të qëndrueshëm duhet të nxjerrin mësim dhe ta kuptojnë një herë e përgjithmonë se ata vet janë konsumatori kryesor dhe si të tillë janë edhe ndotësit më të mëdhenj të mjedisit me këtë lloj ndotje me aktivitetin e tyre. Ky problem i madh kërkon zgjidhje, prandaj qytetarët duhet ta kuptojnë se ata janë aktorët, që nuk mund të zëvendësohen për të evituar këtë lloj ndotje të mjedisit, e cila vret dhe flet në mënyrë të çuditshme me pasojat që u shkakton të gjithëve. Veprimtaria më e mirë, e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme sot për sot në këtë fushë është përmirësimi dhe rritja e kontributit qytetar, për sa i përket vendosjes së rregullit dhe zbatimit të ligjit në ofrimin e shërbimit të përshtatshëm për menaxhimin e mbetjeve urbane. Ka ardhur koha që qytetarët t’u japin rëndësi aktiviteteve shoqërore si një standard për integrim. Në këtë mënyrë do të rritet efikasiteti i ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit dhe do të zvogëlohet dukshëm rreziku i madh që vjen nga mbetjet urbane , e cila vret jetën e kujtdo. Në një shoqëri të brishtë siç jemi ne, në të cilën qytetarët ende kanë nevojë të mësojnë më shumë për pasojat e mëdha që vijnë nga një mjedis i papastër, nisma e fundit që ka ndërmarrë Ndërmarrja Komunale e Tuzit për pastrimin e zonave periferike dhe urbane të këtij qyteti nuk duhet të ndalet. Ajo duhet të vijojë edhe në të ardhmen, deri sa komuniteti lokal ta kuptojë se mjedisi rreth vetes nuk është vetëm hapësira jonë individuale, por është hapësira e bashkëjetesës sonë qytetare. Pa një Tuz të pastër, nuk ka Tuz të shëndetshëm. Pa një Tuz të pastër nuk ka Tuz të pasur. Vetëm një Tuz i pastër është një Tuz i mirë për të gjithë qytetarët e tij dhe mysafirët që e vizitojnë.

Tuzi i ka shumë vlera që mund t’i japë natyra një vendi apo qyteti. Ka natyrën, ka liqenin, lumin, historinë dhe njerëzit e mirë. Por, zhvillimi urban i një qyteti, ka edhe pasoja për ndotjen dhe infrastrukturën e tij. Prandaj pakësimi i mbetjeve urbane nga organet e menaxhimit dhe strukturave përkatëse për një Tuz të pastër është domosdoshmëri që ky qytet të jetë vendbanim ku vihet e qëndrohet, e jo vendbanim nga i cili detyrohesh të largohesh.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat