Nderohen me “qytetarë nderi” dy intelektualë tropojan.

Reportazhe

Nderohen me “qytetarë nderi” dy intelektualë tropojan.

Nga: Ibrahim Hajdarmataj Më: 6 nëntor 2022 Në ora: 17:13
Foto nga vendngjarja

Në Bashkinë e Tropojës, para disa ditësh u zhvillua ceremonia e dhënies së dy titujve. Kryetari i Bashkisë, Rexhë Byberi; këshilltarë dhe drejtues të institucioneve të kësaj bashkie vlerësuan ndihmsën dhe kontributin e tyre në fushën e artit dhe të arsimit, duke e përfaqësuar Malësinë e Gjakovës me dinjitet dhe integritet.

Këngëtarit, Gentian Demaliaj iu akordua titulli “Qytetar Nderi” i Tropojës me motivacionin: “Një artist kompleks me arritje të mëdha në karrierën e tij artistike, një këngëtar i shkëlqyer që bëri epokë si solist dhe lider i grupit "Djemtë e detit", një i ri që dëshmoi cilësitë më të mira të brezit të tij, një intelektual i cili gjithmonë ishte dhe mbeti krenar për rrënjët dhe vendin e tij, Tropojën.”

Gentjan Demaliaj është vokalisti i grupit “Djemtë e Detit”. Muzika e tij ka 30 vjet që dëgjohet e do të vazhdojë të dëgjohet në vazhdimësi… Genti është personazhi emblematik i grupit. I veshur me të zeza, me kryqin e besimit të palëshuar, me flokët e gjata, gjithë humor, elegant, shpërthyes kur duhej, ai u bë i njohur, i veçantë, origjinal në zë, në muzikë, në lëvizje në fillimin e viteve `90.

Veprimtari dhe çmime

1989 Krijimi në qytetin e Lezhës i Grupit Djemtë e Detit – vokalist / leader i grupit

1991 Çmimi i dytë në Festivalin e RTSH me këngën “Ëndrrat që për ty i thura”

1995 Çmimi i dytë në Festivalin e Parë të Rockut Shqiptar

1996 Çmimi i parë në Festivalin e Dytë të Rockut Shqiptar

1996 Çmim special në Festivalin e RTSH “Për përpunimin e këngës popullore etno-rock me këngën “Baladë për Jakup Ferrin”

1997 Çmim në Festivalin e RTSH “Interpretuesi dhe grupi më i mirë” me këngën “Mos qaj”

1997 Hedhja ne treg e albumit të parë “Izolimi Vdes”

1998 Çmim në Festivalin e RTSH “Interpretuesi më i mirë” si dhe çmim special “Kënga më e mirë”, akorduar nga Ministria e Kulturës me këngën “Kohë pa ty”

2002 Çmim i parë “Mikrofoni i artë” edicioni i parë, me këngën “Jo tani”

2002 Mbrojtja e diplomës së shkollës së lartë me pjesëmarrjen në filmin “Lule të kuqe, Lule të zeza” nën drejtimin e regjisorit Mevlan Shanaj (Personazhi i Ben Pashës)

2004-2005 Regjisor, Drejtoria e Aktualitetit, RTSH

2006 Pjesëmarrje në musicalin Romeo&Zhuljeta nën drejtimin e regjizorit Gjergj Xhuvani (Personazhi i Tibaltit)

2008 Pjesëmarrje në musicalin Moulin Rouge nën drejtimin e regjisorit Dritan Huqi (Personazhi i Argjentinasit)

2008-2009 Përfundoi dhe hodhi në treg albumin e dytë “Epos”

U nda nga jeta, më 27. 01.2015

Urdhëri “Mjeshtër i madh”, dhënë nga Presidenti, në vitin 2016.

Titulli “Mirënjohje e qytetit”, Shëngjin, në vitin 2015.

Titulli “Mirënjohje e qytetit”, Lezhë, në vitin 2015.

Zëri i tij i ëmbël si gurgullimat e krojeve të bjeshkës, i pastër si ujët e Valbonës, ledhatues si valët e detit, epik si Bjeshkët e Nëmuna “Baladë për Jakup Ferin”, i shkrirë tërësisht me dhimbjet njerëzore “Mos qaj”.

Thuri ëndrra për veten, për ne “Ëndrrat që për ty i thura”, por ah, vdekja e pabesë, tinëzare, e pamëshirshme nuk e la t’i realizonte të gjitha. Sikur e parandjeu se vdekja do ta merrte para kohe në krahët e saj, ndaj këndoi “Jo tani”.

Epizmi dhe lirizmi në këngën e tij qenë pjesë e jetës së tij, e biografisë së tij, e traditës së familjes së tij, e heroizmit të popullit të tij, e vuajtjeve të tij, e jetës së tij të dhimbshme. Këngëtari Gentjan Demaliaj e ka shkruar me gërma të arta emrin e tij në historinë e muzikës moderne. Vajza e Gentit, Edea, e talentuar, me shumë perspektivë po i çon më tej sukseset dhe arritjet e tij.

Doktorit të Shkencave Psikologjike, Skënder Demaliaj iu akordua gjithashtu titulli “Qytetar Nderi” i Tropojës me motivacionin:”Për kontributin e tij në fushën e arsimit dhe promovimin e vlerave dhe të traditave më të mira kulturore, historike dhe etnopsikologjike në rrethin e Tropojës dhe në Krahinën e Bytyçit."

Siç shprehet ai vetë: “Kam filluar punën fillimisht si mësues në Zogaj, Berishë, pastaj në shkollën e mesme në Pac. Gjatë kësaj periudhe botova shkrime: analiza e reportazhe në gazetën Zëri i popullit dhe Drita. Punova deri në vitin 1980 sepse u zgjodha kryetar i Këshillit të Bashkuar në një moshë të re, vetëm dy vjet pasi mbarova shkollën e lartë. Për mua kjo detyrë e re ka qenë një përvojë e shkëlqyer. Më ndihmoi të njihja më mirë njerëzit, hallet dhe shqetësimet e tyre, më aftësoi në fushën e organizimit dhe drejtimit, më lidhi më shumë me jetën dhe historinë e Bytyçit. Unë e mora këtë përgjegjësi në një situatë të vështirë. Ishin vitet e prishjes së marrëdhënieve me Kinën, çka shkaktoi rënie të ekonomisë, por edhe të furnizimit e të mirëqenies. E sikur të mos mjaftonte kjo u bë edhe tufëzimi i bagëtive, që e përkeqësoi edhe më tej jetën në fshat dhe në qytet. Në kooperativën e Zogajt, fqinjë me ne u bë tufëzimi i lopëve, kurse në Pac nuk u bë. Në mbledhjen e Aktivit të Partisë së rrethit, edhe unë, edhe kryetari i kooperativës, Ibrahim Zeneli e kundërshtuam nismën për tufëzimin e lopëve. Sekretari i Parë i Partisë së rrethit, Faik Kopaçi na mirëkuptoi dhe nuk patëm pasoja. Nuk ishte e lehtë të mos mbështesje vendimet e partisë dhe të qeverisë… Ne ishim zonë kufitare. Në vitin 1981 shpërthyen demonstratat në Kosovë, ku kërkohej Kosova Republikë. Në zonën tonë ishin të dislokuara disa reparte ushtarake, në Pac, në Stobërdë, Dobrej, Maja e Dhine. Kërkohej bashkëpunim me to, kërkohej vigjilencë dhe gatishmëri. Me qindra netë kemi kaluar pa gjumë. Gjatë kësaj periudhe u ndërtua shkolla e re e mesme dy katëshe, Pallati i Kulturës me sallë shfaqjesh, me skenë të madhe e funksionale, me bibliotekë e librari, qendër zëri, kinema, garderobë për 50 veta. U ngrit Muzeu i Krahinës së Bytyçit, u organizuan dy sesione shkencore për luftën e popullit të Bytyçi për liri e demokraci në vitet 1912-1920 si edhe rezistenca e bytyçasve kundër pushtuesit fashist italian dhe nazistëve gjermanë. U largova me dëshirën time nga detyra e kryetarit të Këshillit të Bashkuar dhe vendosa t’i rikthehem studimëve, tanimë në fushën psikologjike dhe pedagogjike.

Studimet pasuniversitare më hapën rrugën për të vazhduar doktoraturën, çka do të ndikonte fuqishëm në punën time kërkimore shkencore në të ardhmen. Aty kishte pedagogë të shkëlqyer si: Bedri Dedja, Hamit Beqja, Pëllumb Gaçe, Aleko Qëndro, Bekim Çomo etj. Me profesor Bedriun dhe Hamitin pata një marrëdhënie të veçantë, tepër miqësore. Ata mbetën mentorët e mi në fushën e studimeve psikologjike dhe pedagogjike. Në vitin 1985 u riktheva në shkollën e mesme në Pac, më i aftë profesionalisht, me njohuri të thelluara në fushën e psikologjisë, të didaktikës, por edhe me një njohje më të mirë të realitetit shqiptar. Studimet në Tiranë më krijuan mundësinë të njihem e të komunikoj me shumë personalitete të shquara të arsimit, të kulturës shqiptare ,me intelektualë të njohur jokonformistë. Në këto vite unë drejtova kualifikimin e mësuesve në shkallë rrethi në fushën e psikologjisë e të pedagogjisë. Ishim një ekip shumë i përgatitur, ku bëja pjesë unë, drejtori i Kabinetit Pedagogjik (drejtori im i gjimnazit), një nga zërat më të fuqishëm të arsimit në Tropojë, Mal Buçpapa, Hasan Hyka

Kam botuar: “Masakra e Gjilanit”, 1999.

“Figura dhe ngjarje historike”, 2001.

“Poem kosovar në pendën e Mitrush Kutelit”, 2002.

“164 pyetje për dashurinë”, 2002.

“Dashuria pret…”, 2003.

“Njerëz të mëdhenj: anekdota , fjalë të mençura, kuriozitete”, 2003.

“Poezi për gjuhën shqipe”, 2005.

“Mësimdhënia e të menduarit në letërsi”,2010.

“Kthimi i shpejtë i shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre mijëvjeçare në Verën e vitit 1999”, monografi, 2020.

“Këndvështrime të reja,vizion i rinëpunën me adoleshentët”, monografi, 2021

Kam në dorë një monografi për adoleshentët në tre pjesë. Pjesën e parë e kam bërë gati për botim, një libër me studime për Kosovën, për Murat Pacin si folklorist i parë i Malësisë së Gjakovës, një libër Kanuni i Bjeshkës së Sylbicës, kam mbaruar librin për xhaxhain, Shaban Haxhinë dhe librin me kujtime të babait. Në planet e mia në të ardhmen është monografia për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare në vitet 1939-1944 në Malësinë e Gjakovës, në disa vëllime dhe Historia e Shqipërisë në këndvështrimin e psikoanalizës. Po kështu po punoj për tekstin “Menaxhimi i Institucioneve Arsimore”, lëndë të cilën e jap në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë në degën Menaxhim Arsimi në nivelin Master.”

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat