I shpallur në kërkim, policia kontrolle të befasishme në Shkodër për kapjen e Eljon Hatos

Shkodra

I shpallur në kërkim, policia kontrolle të befasishme në Shkodër për kapjen e Eljon Hatos

Më: 16 janar 2024 Në ora: 10:16
Foto nga vendi i ngjarjes

Rreth 50 forca të policisë së Shkodrës, FNSH por edhe një grup i RENEA zhvilluan një kontroll të befasishëm në një fshat të Shkodrës për arrestimin e Eljon Hato i shpallur në kërkim si i dyshuar në dosjen “Metamorfoza”.

Ky operacion nuk u finalizua pasi Hato nuk ndodhej në atë banesë. Shtëpia ku u bë kontrolli është e vëllait të Eljon Hatos, shtetasit Elkier Hato. Ky i fundit akuzon shefin e komisariatit të policisë së Shkodrës Idriz Daulle si i paguar nga grupe kriminale për të dëmtuar familjen Hato. 39-vjeçari Elkier Hato thotë se efektivët kanë zhvilluar një kontroll të dhunshëm në banesë si asnjëherë më parë dhe sipas tij pa mandat kontrolli ndërsa kanë qëlluar me armë zjarri ndaj qenve në oborrin e shtëpisë në të cilën nuk ndodhej askush.

Elkier Hato thotë se është detyruar që të largohet nga ajo banesë për shkak se shpesh herë familja e tij është terrorizuar nga kontrollet e policisë. 39-vjeçari ka frikë se dikush nga efektivët që mund të jetë i paguar nga grupe kriminale mund ta vrasë në aksion e sipër ndaj nuk ka besim tek shteti.

Hato thotë se nuk e ka idenë se ku ndodhet vëllai i tij që është i shpallur në kërkim si i dyshuar në dosjen “Metamorfoza” dhe shton se nuk dorëzohet pasi edhe i vëllai nuk ka besim tek policia.

Forcat e policisë së Shkodrës dhe RENEA u desh të hipin mbi muret rrethuese dhe të presin telat me gjEmba që rrethojnë këtë shtëpi ku mendohej se strehohej Eljon Hato por u larguan pasi aty nuk ndodhej askush. Ajo që lanë pas janë një qen i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat