Një 32-vjeçar është vënë në pranga në Shkodër, pasi iu gjet në makinë lëndë narkotike kanabis.
L. R., është ndaluar në Shirokë nga shërbimet e policisë për kontroll. gjatë kontrollit fizik, sipas policisë, iu gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Më pas gjatë kontrollit në banesën e tij, iu gjet sërish kanabis dhe 115 fara kanabisi, të cilat i posedonte me qëllim shitje.
“Në vijim të punës operacionale me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin L. R., 32 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lënda narkotike dhe farat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.