Gazetarja Anila Hoxha, e ftuar në Top Talk, foli për rastin tragjik në Shkodër, një ngjarje e papërshkrueshme edhe për një gazetar, siç e quan ajo.
“Nuk gjen dot asnjë motiv për këtë akt tragjik”, thotë Hoxha, ndërsa tregon disa detaje në lidhje me çështjen deri tani, ku nëna Alma Arrazi dyshohet se është vetëmbytur së bashku me tre fëmijët e saj.
Trupat e dy prej fëmijëve janë gjetur, ndërsa po vijon puna për gjetjen e trupave të nënës dhe fëmijës tjetër.
“Në një kamera sigurie kanë parë duke u larguar nënën së bashku me tre fëmijët e saj, duke ecur në urë, por nuk ka pamje filmike ku duket nëna që është duke kryer aktin tragjik. Nuk është e provuar nëse është hedhur bashkë me fëmijët”, tha gazetarja.
Për bashkëshortin e Almës, Argys Arrazi, i cili është vënë në pranga, Anila tha se familjarët e tij pretendojnë se Alma përdorte ilaçe depresioni
“Kur bashkëshorti është pyetur ka thënë se nuk dinte asgjë, por kërkoi ndihmën e policisë sepse dyshonte se nuk do kthehej më. Policia e arrestoi për shkaktim të vetëvrasjes, për shkak të dëshmive të fqinjëve se i dhunonte, një version që është hedhur poshtë nga ai. Sipas familjarëve të Ergysit, Alma përdorte ilaçe të depresionit, por që nuk është konfirmuar që mjeku të pranojë që i jepte ilaçe”, tregon ajo.
Gazetarja më tej tregoi raste të tilla horror, ku nëna për shkak të dhunës që u është ushtruar dhe pamundësisë ekonomike kanë ndërmarrë veprime të tilla.
“Nuk duhet heshtur. Kemi një realitet që lidhet me kulturën tonë, gjërat ndonjëherë janë aq kundër dhunës ndaj gruas. Prona i takon kryefamiljarit. Një grua pa mbështetje ekonomike me fëmijë të vegjël, ku të shkojë? Përpara një krize martesore dhe prindërve që u thonë ‘duro edhe pak’. Ku të shkojë kjo grua me një bonus qeraje? Me çfarë do jetojë?”