Lulet në oborret shkodrane

Shkodra

Lulet në oborret shkodrane

Më: 9 maj 2024 Në ora: 22:27
Ilustrim

Shkodra nuk është vetëm qyteti i biçikletave por edhe i luleve dhe këtë mund ta kuptojë lehtësisht çdokush që vjen e viziton qytetin. Muaji i majit në mënyrë të veçantë i është dedikuar luleve edhe pse qytetarët që kujdesen posaçërisht për to nuk mund të pajtohen lehtë me idenë që vetëm ky muaj t’i dedikohet lulëzimit të tyre.

Janë të shumta oborret shkodrane të mbushura me lule por ne u ndalëm në dy prej tyre që dallojnë më së shumti për larminë e ngjyrave dhe kujdesit për to, ku njëri prej tyre është ai i 86-vjeçarit që ka pasion lulet dhe letërsinë Adnan Muka ku fare mirë mund ta krahasosh me një kopësht botanik më vete. Ai ka një jetë që kujdeset për to dhe në fjalët e tij i “lexohet” lehtësisht pasioni teksa flet për lulet.

Adnani ka mbi 120 lloje drandofillesh dhe mbi 100 varietete të luleve të tjera në oborrin e tij ndërsa përveç kujdesit për to, ai ende sot e kësaj dite, edhe pse vitet mbi shpatulla bëjnë të veten, kontribuon në mënyrë vullnetare për lulet e qytetit në ambjentet e hapura të tij.

Edhe në oborrin e artistit shkodran, këngëtarit  Leonard Guga, vëren një përkushtim të veçante për lulet duke mos i harruar emrin asnjërës prej tyre.

Leonardi tregon deri në detajet më të vogla lulet që kërkojnë një kujdes më te madh për shkak të ndjeshmërisë dhe kushteve specifike që kërkon mirëmbajtja e tyre ndërsa e ka të vështirë të thotë numrin e saktë të luleve që ndodhen në oborrin e tij por mes tyre ka edhe të preferuarën e vet.

Adnani dhe Leonardi janë vetëm dy nga të shumtët që kujdesen për lulet në Shkodër, e cila dashurinë e saj për lulet e ka shprehur edhe në këngët e kënduara ndër mote dhe në format e tjera të artit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat