Shkupi shqyrton propozimin për rehabilitimin e fëmijëve dhe ushtarëve ukrainas

Shkupi

Shkupi shqyrton propozimin për rehabilitimin e fëmijëve dhe ushtarëve ukrainas

Më: 6 mars 2024 Në ora: 21:16
Ilustrim

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka propozuar një iniciativë që shtetet e Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, të ndihmojnë në rehabilitimin e fëmijëve ukrainas dhe të ushtarëve të plagosur ukrainas.

Këtë iniciativë Zelensky e ka diskutuar me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe dhe atë të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, në samitin Ukrainë- Evropa Juglindore që u zhvillua në Tiranë, më 28 shkurt.

Propozimi i presidentit ukrainas pasoi vendimin e Qeverisë kroate në vitin 2023 që të pranojë ukrainas të plagosur dhe të kujdeset për ta në objektet e saj shëndetësore.

Në profilin e tij në platformën X, që dikur njihej si Twitter, Zelensky ka shpërndarë një video nga takimi me Pendarovskin në margjinat e samitit në Tiranë.

Në pjesë të shkurtra të bisedës së tyre, dy presidentët dëgjohen duke diskutuar mundësinë e krijimit të një qendre rehabilitimi për ushtarët e plagosur dhe fëmijët ukrainas, me ndihmën e shteteve të Ballkanit.

“Liderët diskutuan, gjithashtu, krijimin e një qendre për rehabilitimin e ushtarëve të plagosur ukrainas, si dhe fëmijëve të mbrojtësve të rënë, me pjesëmarrjen e vendeve të Ballkanit. Nëse miqtë tanë na ndihmojnë, mund të flasim për një koalicion rehabilitues. Do të jetë shumë e rëndësishme nëse miqtë tanë ballkanikë mund të ndihmojnë në organizimin e një platforme të tillë me pjesëmarrjen e vendeve të ndryshme”, ka thënë Zelensky, sipas njoftimit të kabinetit të presidentit të Ukrainës, pas takimit me Pendarovskin në Tiranë.

Nga kabineti i presidentit të Maqedonisë së Veriut, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) se ky është propozim fillestar i kryeministrit të Kroacisë dhe presidentit të Malit të Zi, duke qenë se këto dy vende tashmë kanë përvojë dhe kapacitete për rehabilitim nga zhvillimet ushtarake në vitet ‘90.

“Ideja në parim është e pranueshme për ne, ndërsa kërkohet një elaborim specifik i detajeve që do të jetë përgjegjësi e qeverive të vendeve që do të shprehin pëlqimin e tyre për të marrë pjesë në këtë program”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë nga kabineti i Pendarovskit.

Për realizimin e propozimit për rehabilitimin e ushtarëve nga Ukraina në qendrat e duhura shëndetësore dhe rehabilituese, duhet të deklarohet edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me këtë çështje, Zelensky ka folur edhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, në kuadër të Samitit Ukrainë-Evropa Juglindore në Tiranë.

“Kam pasur një takim me presidentin Jakov Milatoviq dhe e kam falënderuar Malin e Zi për mikpritjen e ukrainasve që ikën nga lufta. Diskutuam edhe për trajtimin dhe rehabilitimin e ushtarëve ukrainas në Mal të Zi”, ka shkruar Zelensky në një postim në rrjetin social X.

Ambasada ukrainase në Shkup dhe autoritetet shtetërore po e shqyrtojnë mundësinë e rehabilitimit të fëmijëve nga Ukraina në Maqedoninë e Veriut.
Bëhet fjalë për fëmijë nga kategoritë e cenueshme nga rajoni i Nikopolit që ndodhet në afërsi të zonës së aksioneve ushtarake dhe “është nën granatime të përditshme nga territori i Ukrainës i pushtuar përkohësisht nga shteti agresor Rusia”.

“Duke marrë parasysh se në zonën e Nikopolit paralajmërimet për sulme ajrore pothuajse nuk ndalen, problemi i zhvillimit të fëmijëve, të cilët janë të privuar nga një proces normal arsimor, kulturor dhe sportiv, është veçanërisht i mprehtë. Prandaj, sinqerisht do t’u jemi mirënjohës institucioneve dhe organizatave përkatëse të Maqedonisë së Veriut për mundësinë për të realizuar një iniciativë të tillë”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Ambasada e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat