Një aksion i gjerë policor është zhvilluar gjatë natës në qendër të Shkupit, ku janë zbuluar shkelje të shumta ligjore, përfshirë konsumimin e alkoolit nga të miturit dhe shitjen e pijeve alkoolike te personat nën moshën madhore. Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe kundërvajtje në trafik, ndërsa disa persona janë privuar nga liria, transmeton “Bota sot”.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksioni është zhvilluar nga ora 22:00 e 14 nëntorit deri në orën 07:00 të mëngjesit të 15 nëntorit, nga zyrtarët policorë të stacioneve Qendër dhe Bit Pazar, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut.
Gjatë këtij operacioni janë evidentuar 18 kundërvajtje sipas Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.
Policia ka privuar nga liria 12 persona në lidhje me veprën penale nga neni 215 i Kodit Penal, një person për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, si dhe tre persona në lidhje me nenin 204 të Kodit Penal. Pesë persona të tjerë janë shoqëruar në polici për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike.
Gjatë kontrolleve në disa objekte hotelierike, në njërin prej tyre janë gjetur shtatë të mitur duke konsumuar alkool.
Po ashtu, është konstatuar se një shitore duhani u shiste pije alkoolike të miturve. Për këto shkelje, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, janë ndërmarrë masa për sanksionimin e përgjegjësve.
Kontroll edhe në një aheng techno
Në kuadër të të njëjtit operacion, policia ka kontrolluar edhe një aheng techno të organizuar në një parking nëntokësor në rrugën “Kresnensko Vostanie” në Shkup.
Gjatë këtij kontrolli janë identifikuar 65 persona dhe janë kontrolluar 13 automjete. Një person është privuar nga liria në lidhje me veprën penale nga neni 215 i Kodit Penal.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se për të gjitha shkeljet e konstatuara do të pasojnë kallëzimet dhe sanksionet përkatëse ligjore.
*Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut