Kryeparlamentarja Nikolla, takim me reporteren për Shqipërinë në PE, në fokus integrimi në BE dhe dialogu politik ndërpartiak në Kuvend

Shqipëria

Kryeparlamentarja Nikolla, takim me reporteren për Shqipërinë në PE, në fokus integrimi në BE dhe dialogu politik ndërpartiak në Kuvend

Më: 26 mars 2024 Në ora: 16:39
Foto nga takimi

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, u takua sot pasdite me Isabel Santos, reportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

Kryetarja Nikolla e falënderoi Santos për mbështetjen për avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe kontributin në njohjen dhe vlerësimin e këtij procesi në Parlamentin Europian dhe institucionet europiane. “Procesi i negociatave për marrëveshjen e anëtarësimit kërkon ngritjen në një nivel të ri të rolit legjislativ dhe mbikëqyrës të Kuvendit, sidomos për kontrollin e përputhshmërisë së projektligjeve me acquis të BE-së. Mbështetja dhe mbikëqyrja e plotësimit të standardeve të anëtarësimit përbën një prioritet të Kuvendit të Shqipërisë. Në Kuvend po punojmë për forcimin e dialogut politik për avancimin e reformave dhe të procesit të integrimit europian”, u shpreh Nikolla

Kryetarja Nikolla vuri në dukje se Kuvendi po punon  për zbatimin e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të KE për Shqipërinë 2023, përgatitjen e pozicioneve negociuese dhe udhërrëfyesve “për shtetin e së drejtës”, “reformës në administratën publike” dhe “funksionimin e institucioneve demokratike” si edhe Planin e Veprimit për adresimin e rekomandimeve që i drejtohen Kuvendit në Raportin Analitik për Grup-kapitujt e Parë.

Isabel Santos vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, përgëzoi Kryetaren Nikolla për normalizimin e dialogut politik ndërpartiak në Kuvend dhe nënvizoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së tij për konsolidimin e institucioneve demokratike, vijimin e reformave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat