“Zhvillimi ekonomik i vendit, shumë i shpejtë”/ Balluku: Tregu ka punë, por duhen profesionistë

Shqipëria

“Zhvillimi ekonomik i vendit, shumë i shpejtë”/ Balluku: Tregu ka punë, por duhen profesionistë

Më: 27 mars 2024 Në ora: 15:01
Belinda Balluku

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë është shumë i shpejtë dhe se tregu i punësimit, kërkon njerëz profesionistë.

Gjatë fjalës së saj në Konferencën për Arsimin dhe Formimin Profesional, Ballu u shpreh se ka mungesë të profesionistëve dhe inkurajoi të rinjtë që të shohin arsmimin profesional.

Është shumë e rëndësishme sot të kuptohet që vendi ynë ka arritur një maturi të tregut ekonomik. Sot ka fusha të mirë definuara të cilat janë të gatshme të akomodojnë të rinjtë dhe të rejat që dalin nga shkollat profesionale, siç është turizmi, tashmë i konsoliduar. E kemi kaluar provën e zjarrit vitin e kaluar me mbi 10 milionë vizitorë. Mikesha ime dhe kolegia ime Mirela Kumbaro si zonjë e shtëpisë për shkak të portofolit që mban pret 14 milionë vizitorë në vitin 2024, të cilët duhet të shërbehen nga një industri turistike e cila do të ketë vitin e parë të show-t, sepse vjet për mua dhe për të gjithë ne ishte një provë gjenerale.

Nga ana tjetër një sektor i konsoliduar është ai i bujqësisë. Bujqësia dhe blegtoria ka qenë gjithmonë e rëndësishme për vendin tonë, mban një pjesë dhe një përqindje të rëndësishme të prodhimit bruto vendas, por nga ana tjetër bujqësia nuk është siç ka qenë më parë. Sot nuk punohet bahçja, sot duhet të bashkohen forcat. Sot një treg në rritje kur eksportet kanë arritur mbi 500 milionë në vit dhe me synimin e pastër që të arrijmë 1 miliard eksporte deri në 2030 duhet që blegtorët, bujqit të bashkohen në forma të një korporate bujqësore për të prodhuar kështu sasi më të mëdha. Sasi më të mëdha të varieteteve të njëjta. Pra nuk mundet më që në treg të ketë domate të tipeve të ndryshme, nuk mundet më që në treg të ketë fasule të tipeve të ndryshme, pasi sot kompanitë dhe pikat e grumbullimit kërkojnë sasi të mëdha për tregun e  Ballkanit, por edhe të Europës. Kemi arritur gjatë vitit të kaluar të depërtojmë me prodhimet e zonës së Divjakës dhe të gjithë pjesës së Myzeqesë deri në supermarketet e Zvicrës. Përmend supermarketet e Zvicrës pasi kanë kërkesa edhe më të larta se vetë Bashkimi Europian përsa i përket produkteve bio.

Patjetër një treg shumë i konsoliduar i cili vjen vetëm në rritje është edhe ai i aviacionit. Kemi një aeroport ndërkombëtar në Tiranë, një aeroport ndërkombëtar në Kukës dhe një aeroport ndërkombëtar i cili është në fazat e përfundimit, ai i Vlorës. Aeroporti ndërkombëtar më i madh në zonën e Ballkanit perëndimor, por që nga gjithë plani operimit synon të jetë më i madhi në Ballkan përsa i përket volumeve akomoduese. Një industri e re e cila ka shpërthyer tashmë dhe kushdo nga ju duke parë vetëm shifrat që ne herë pas here publikojmë kupton që aeroporti ynë, ai ndërkombëtar i Tiranës, renditet në vend të parë përsa i përket flukseve të trafikut që ulen dhe ngrihen nga Tirana, ndërkohë që navigimi ajror shqiptar prej disa muajsh qëndron në vend të parë përsa i përket sasisë, volumit të përpunimit të mbikalimeve në territorin shqiptar.

Unë mund të përmend shumë e shumë fusha të tjera si teknologjia e informacionit aty ku të gjithë të rinjtë kanë vëmendjen sot e të tjera të cilat po zhvillohen në mënyrë konstante dhe të konsoliduar. Çfarë na duhet ne? Qeveria shqiptare vitin 2024 e ka shpallur si viti ku ngritja e kapaciteteve njerëzore ka padyshim prioritetin kryesor për ne dhe padyshim fokusin e të gjithë kabinetit qeveritar, pasi kjo është një kërkesë e kryeministrit i cili e ka identifikuar që në krye të herës. Nëse mbani mend atë thënien, ka punë po s’ka profesionistë, ku të gjithë qeshnin me këtë thënie, sot është një realitet i prekshëm. Tregu ka punë, tregu ka kërkesë, ata që na mungojnë janë profesionistët e profilizuar, se për këtë jemi këtu sot. Këtu sot jemi për të folur për arsimin profesional, i cili është një nga instrumentet më të rëndësishëm për të qenë të suksesshëm në të gjithë ato sektorë të cilat unë përmenda. Në të gjithë ato sektorë të cilët janë si një thithëse në këto momente e të gjithë burimeve njerëzore. Por nga ana tjetër duhen burime njerëzore të kualifikuara.“, theksoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat