Prokuroria e Durrësit pushoi hetimet, GJKKO urdhëron SPAK të hetojë ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi

Shqipëria

Prokuroria e Durrësit pushoi hetimet, GJKKO urdhëron SPAK të hetojë ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi

Më: 28 mars 2024 Në ora: 13:05
Elvis Roshi

Gjykata e Posaçme urdhëroi Prokurorinë e Posaçme që të tërheqë dosjen ndaj Elvis Roshit, ish kryetarit të bashkisë së Kavajës dhe të vijojë hetimet për shpërdorim detyre, raporton gazetari Ermal Vija.

Rroshi u kallëzua në vitin 2017 nga KLSH për dy tendera abuzivë me vlerë 33 milionë lekë, por prokuroria e Durrësit në atë kohë kërkoi pushim të hetimeve dhe delegim të dosjes në Gjykatën e Posaçme.

Njoftimi i plotë:

Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datë 30.11.2023, është regjistruar kërkesa penale me nr. 23/113 akti, ardhur për shkak të deklarimit të mos kompetencës lëndore nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 317 të vitit 2017, të regjistruar pa autor për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal”,  me palë kërkuese Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe kallëzues Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 75/a, 128, 128/a, 329, 329/a, 329/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin nr. 23, datë 26.03.2024, vendosi:

Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal.

Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat