Shpërthejnë ujërat e zeza në themelet e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës! Rrezikohet mozaiku i rrallë

Shqipëria

Shpërthejnë ujërat e zeza në themelet e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës! Rrezikohet mozaiku i rrallë

Më: 28 mars 2024 Në ora: 13:50
Foto nga vendi i ngjarjes

Ujërat e zeza kanë mbuluar hapësirën ku ndodhet i mbuluar një nga mozaikët më të rrallë të zbuluar ndonjëherë në vendin tonë.

Mozaiku i punuar me gurë ngjyrë blu dhe bezhë u zbulua tetorin e kaluar në një thellësi prej 6 metrash, gjatë hapjes së themeleve për rindërtimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës. Sipas arkeologëve, ai i përket shekullit të I-II të erës sonë, ndërsa vetë siti përfshin edhe gjetje të periudhave më të hershme, që dëshmojnë dhe nivelin e lartë të jetesës në qytetin e lashtë në fillim të erës së re. Pas zbulimit punimet për rindërtimin e shkollës u ndërprenë, ndërsa dëmtimi i një tubacioni të ujërave të zeza ka shtuar praninë e tyre mbi sitin më të ri arkeologjik të zbuluar në Durrës. Edhe pse i mbuluar, mozaiku rrezikon të dëmtohet prej tyre.

Në nëntor të vitit të kaluar, Këshilli kombëtar i trashëgimisë kulturore materiale vendosi t’i hapë rrugë gërrmimeve arkeologjike nga një subjekt privat i licencuar në arkeologji, gërrmime që do të financohen nga Bashkia e Durrësit e cila ka hapur tenderin dhe këto ditë pritet shpallja e subjektit fitues. Në pritje të përfundimit të procedurave, autoriteti kombëtar i trashëgimisë kulturore detyron subjektin privat fitues dhe bashkinë e Durrësit të marrin masa për konservimin paraprak të gjurmëve të mozaikut, ndërsa gërrmimet duhet të mbikqyren nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Ndërkohë siti është lënë në mëshirë të fatit nën pushtetin e ujërave të zeza dhe ndonëse banorë të zonës përreth kanë raportuar gjendjen, as Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve nuk ka ndërhyrë për të riparuar tubacionin dhe shmangur dëmet që depërtimi i ujërave mund të shkaktojë në këtë pasuri kombëtare arkeologjike që pritet të zbulohet më tej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat