“Procesi gjyqësor, në cenim të Kodit Penal”/ Mediu: Po hetohem edhe si ushtarak, absurde!

Shqipëria

“Procesi gjyqësor, në cenim të Kodit Penal”/ Mediu: Po hetohem edhe si ushtarak, absurde!

Më: 28 mars 2024 Në ora: 20:33
Fatmir Mediu

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, e cilëson cenim të Kodit Penal procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit.

I ftuar në “Top Talk” me Juli Xhokaxhi, Mediu u shpreh se ky proces ka disa shkelje.

“Drejtësia ka zhvilluar një proces gjyqësor dhe mungesa e procesit gjyqësor karshi meje, nuk lidhej me mua, por lidhej me vendimin e prokurorisë. Zhvillimi i procesit të tanishëm ka një cenim të rëndë të kodit penal. Zhvillimi i procesit gjyqësor në kundërshtim me parashkrimin apo çështjet e gjykuara, mendoj se është në cenim i të drejtës së çdo individi”.

Të padrejtë e cilëson edhe vendimin për të mos thirrur si dëshmitarë personat e kërkuar nga mbrojtja.

“Të dyja palët, edhe prokuroria, edhe pala mbrojtëse, duhet të prezantonte dëshmitarët. Prokuroria prezantoi dëshmitarët e vetë, pa argumentuar se çfarë sjellin ata në proces. Ne jemi në fazën e fundit të pyetjes së dëshmitarëve të prokurorisë. Nga ana tjetër, ne kërkuam dëshmitarët që kanë punuar në Ministrinë e Mbrojtjes, por kërkuam edhe ato autoritete që na kanë mësuar. Kjo nuk u pranua nga gjykata, me një arsyetim, që unë e konsideroj jo të drejtë. Sepse për të caktuar që janë relevant, duhet t’i dëgjosh njëherë”.

Sipas tij, duhet të pyetet edhe kompania SAK, me të cilën Ministria e Mbrojtjes atëherë kishte nënshkruar kontratë.

Ka një element të tretë, karshi kompanisë amerikane. Ministria e Mbrojtjes ka bërë kontratë vetëm me kompaninë SAK. Nëse ka shkelje të ligjit nga kjo kompani, ka ndërmarrë veprime të paligjshme, mendoj se duhet të marrë përgjegjësi, njësoj si çdo qytetar në Shqipëri”.

Madje, ai e quan absurde akuzën e shpërdorimin të detyrës në cilësinë e ushtarakut, duke theksuar që ka qenë ministër i Mbrojtjes, jo ushtarak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat