Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael: Tani situata është e qetë, nuk bëhet fjalë për evakuim të shqiptarëve

Shqipëria

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael: Tani situata është e qetë, nuk bëhet fjalë për evakuim të shqiptarëve

Më: 14 prill 2024 Në ora: 17:20
Ambasadorja e Shqipëri në Izrael, Meri Kumbe; Foto: Tv Klan;

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka dhënë më shumë detaje në lidhje me situatën që paraqitet në Izrael, pas sulmit nga Irani.

Kumbe u shpreh se situata në vend tashmë paraqitet e qetë dhe se nuk bëhet fjalë për evakuim të shqiptarëve që ndodhen në Izrael.

Ambasadorja shprehet se pasdite, kabineti i luftës do të takohet për të dalë në një vendim mbi vijueshmërinë e qëndrimit të Izraelit kundrejt situatës ku shpresohet që palët do të reflektojnë për mospërshkallëzim të situatës, pasi do të sillte destabilizim më të madh në rajon.

“Situata është e qetë në vend. Ka qenë edhe dje në fakt ashtu. Nëse do të ishit në rrugët e Tel Avivit, njerëzit ishin të qetë, zhvillonin aktivitetin e tyre lirshëm. Padyshim dje ishte paralajmëruar risku dhe njerëzit ishin në pritje të udhëzimeve të cilat erdhën në mbrëmje vonë, duke siguruar qytetarët të ishin të qetë, por pranë dhomave të sigurisë. Ishin momentet e para që Izraeli nuk e dinte se si do të zhvillohej sulmi nga Irani. Nuk dinte ende sa do të ishte sulmi. Ishin të gjithë strukturat në pritje. Mbrëmja ishte e gjatë për ne këtu. Të shumtë qytetarët që e kanë ndjekur zgjuar të gjithë aktivitetin ushtarak që ndodhi mbi hapësirën ajrore të Izraelit, por falë zotit çdo gjë shkoi mirë pa humbje jetësh dhe situata sot paraqitet e qetë. I është rikthyer funksionit të plotë. Udhëzimet e insititucionit të sigurisë që zbaton dhe udhëzon qytetarët për rregullat që duhet të ndjekin ka qenë pa asnjë kufizim. I vetmi përjashtim është bërë për institucionet arsimore për ditën e sotme dhe të nesërme”.

“Termi evakuim do të ishte i përdorshëm siç ndodhi me datën 7 Tetor kur vendi ishte jo vetëm në sulm raketash, por edhe me kërcënim të terroristëve në teren ç’ka rrezikonte jetën e qytetarëve. Në rastin konkret Izraeli gjendjen e jashtëzakonshme e kishte vetëm për mbrëmjen, pra për dy ditën që i kanë të deklaruara me deklarata publike. Tani që mbaroi sulmi situata është rikthyer në normalitet”, ka thënë Kumbe për TvKlan.al.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat