Mbahet ceremoni përkujtimore në 25-vjetorin e rënies në krye të detyrës së punonjësit të Policisë Hetem Dushkaj në Ballsh

Shqipëria

Mbahet ceremoni përkujtimore në 25-vjetorin e rënies në krye të detyrës së punonjësit të Policisë Hetem Dushkaj në Ballsh

Më: 15 prill 2024 Në ora: 14:53
Foto nga vendi i ngjarjes

Ata që ngrenë dorë kundër punonjësit të Policisë së Shtetit, do të përballen me reagimin e ashpër të shtetit dhe të drejtësisë. Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka dhënë një mesazh të fortë nga Mallakastra, ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në 25-vjetorin e rënies në krye të detyrës të Hetem Dushkaj.

Mesazhi që dua të përcjell sot është i qartë: Kush ngre dorë kundër punonjësit të Policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit. Ajo çka dua t’u them familjarëve të heroit të Policisë së Shtetit, Hetem Dushkaj, është që angazhimi im si Ministër, do të jetë që, bashkërisht me Policinë e Shtetit, të bëjmë gjithçka nevojitet, që përgjegjësit e këtij krimi të vendosen sa më shpejt përpara drejtësisë. Bashkërisht, me Policinë e Shtetit do të vijojmë gjithashtu procedurat për shpalljen Dëshmor i Atdheut të ish-punonjësit Hetem Dushkaj, në shenjë mirënjohjeje ndaj sakrificës së tij”, u shpreh Balla në fjalën e rastit.

Inspektori Dushkaj, ish-punonjës i Komisariatit të Policisë Mallakastër, ishte ngarkuar me detyrën e ruajtjes së objektit të Uzinës së Naftës në Ballsh. Pikërisht, kjo detyrë u bë shkak për përballjen me keqbërësit, që tentuan të cenojnë sigurinë e objektit, të ruajtur me përkushtim e shpirt sakrifice nga Inspektori Dushkaj, e më pas për vrasjen e tij me armë zjarri disa ditë më pas, në shenjë hakmarrjeje, nga e njëjta dorë kriminale.

Kurajoja dhe përkushtimi i inspektorit Hetem Dushkaj në ushtrimin e detyrës mishërojnë vlerat më të larta të organizatës Policisë së Shtetit, burim frymëzimi për të gjithë brezat e rinj të punonjësve të Policisë. Siç e kam thënë edhe në raste të tjera të përkujtimit të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës, kemi përgjegjësinë që t’i përkujtojmë përjetësisht ata pasi gjaku i Policisë është gjaku i shtetit. Policia e Shtetit kudo i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, duke qenë në vijë të parë dhe përplasje të përditshme me kriminelë e keqbërës”, nënvizoi kreu i ministrisë së Brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat