Hyn në fuqi Amnistia Penale në Shqipëri, nis nga sot lirimi i 700 të dënuarve

Shqipëria

Hyn në fuqi Amnistia Penale në Shqipëri, nis nga sot lirimi i 700 të dënuarve

Më: 24 prill 2024 Në ora: 10:15
Foto ilustrim

Me hyrjen në fuqi ditën e sotme të “Amnistisë Penale” pritet të nisë lirimi i 700 të burgosurve që përfitojnë nga kjo nismë e miratuar javën e parë të prillit në Kuvend me dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja do të vizitojë sot burgun e Rrogozhinës ku pritet të flasë për detajet.

Nga Amnistia Penale përfitojnë 1100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Po ashtu, nga amnistia përfitojnë edhe 2 700 persona në shërbim prove.

Sipas ligjit, nga kjo amnisti do të përfitojnë personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024. Përfitojnë të dënuarit burra që u kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet dhe gratë e të miturit që u kanë mbetur 5 vite. Përfitojnë gratë që janë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë marrë dënimin.

Amnistia shtrin efektet në vetëm 5% të veprave penale që ka Kodi Penal, ndërsa 95% të veprave të tjera nuk do të jenë në efektet e amnistisë. Ulja e dënimit dot të jetë në 1.5 vite për burrat dhe 2 vite për gratë si masë lehtësuese. Për vepra të lehta penale amnistia shtrihet vetëm për kundërvajtjen penale që është 2 vjet. Nga ndjekja penale me këtë amnisti do të përjashtohen të gjitha kallëzimet për disa lloje veprash penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të zhvilluara deri në datën 31 mars 2024. Nga amnistia do të përfitojnë 11 gra, dhe 11 të mitur që lirohen menjëherë.

Nuk përfitojnë personat të cilët i janë shmangur drejtësisë. Nuk përfitojnë subjektet që kanë detyrimin për të deklaruar sipas ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe subjektet e posaçme, akuzat penale ndaj të cilave gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sipas përcaktimeve të shkronjave “b”, “c” dhe “ç”, të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat