Dënuan molotovin te Bashkia e Tiranës, edhe Tabaku kundër ambasadave perëndimore: Nuk na votojnë ata

Shqipëria

Dënuan molotovin te Bashkia e Tiranës, edhe Tabaku kundër ambasadave perëndimore: Nuk na votojnë ata

Më: 26 prill 2024 Në ora: 07:31
Jorida Tabaku

Pas molotovit te Bashkia e Tiranës, përfaqësitë diplomatike reaguan menjëherë duke dënuar dhunën e ushtruar, por për deputeten Demokrate, Jorida Tabaku, kjo nuk do duhet të jetë një problem për aksionin opozitar.

Për herë të parë deputetja e cila kishte përhapur mitin e "properëndimores së madhe", ka dalë hapur kundër qëndrimit të SHBA, Britanisë së Madhe, BE, etj, duke folur me gjuhën e Berishës dhe Rithemelimit për sa i përket rolit të perëndimorëve në vendin tonë. Faktikisht reagimi i këtyre ambasadave nuk ishte kundër protestave as pro korrupsionit, por dënonte aktet e dhunshme dhe destabilizuese.

Tabaku tha dje në një media se opozita nuk e ka betejën me ambasadat, por me qeverinë për të ngritur zërin për problemin e qytetarëve. Kjo sepse sipas Tabakut, “s’votojnë ambasadat”, por qytetarët.

Sipas saj, ato reagime, nuk ishin gjë tjetër veçse “copy-paste” e deklaratave pas protestave të bëra më herët nga opozita.

“Është i njëjti deklarim me protestat e tjera të opozitës, 2019, nuk i kam bërë ndonjëherë deklaratave të ambasadave, dhe nuk e kemi betejën as me ambasadat, as me askënd tjetër, ne duhet të fitojmë betejën me opinionin publik, për të ngritur zërin për betejat e tyre. S’na votojnë ambasadat. Nuk do shqetësohesha për reagime për përfaqësitë diplomatike, ato kanë punën e tyre, ne tonën, ngrenë shqetësime duke parë nga pikëpamja e tyre, ne nga pikëpamja jonë”, tha Tabaku.

Megjithatë, edhe ajo thekson se beson më shumë te forca e fjalës dhe puna me qytetarët për të treguar korrupsionin e qeverisë, se te forca fizike e përdorur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat