Priten mbi 14 milionë turistë, Balla: Policia e Shqipërisë ka marrë masat

Shqipëria

Priten mbi 14 milionë turistë, Balla: Policia e Shqipërisë ka marrë masat

Më: 26 prill 2024 Në ora: 22:20
Taulant Balla

Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot nga Korça, se Policia e Shtetit i ka gati masat për përballimin e fluksit në rritje të turistëve. Këtë vit, sipas Ballës, priten mbi 14 milionë turistë dhe vitin e shkuar u dëshmua se Shqipëria, përtej mikpritjes dhe bukurisë natyrore, ka dhe një siguri mbresëlënëse.

Balla gjatë një komunikimi me mediet, pas takimit me krerët e Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, tha se qyteti juglindor është kryeqyteti i Pashkëve Ortodokse.

“Javës tjetër kemi përgjegjësinë për të organizuar gjithçka duhet për mbarëvajtjen e kësaj feste. Mos harroni, që sa herë kemi Pashkët, vëllezërit dhe motrat tanë rikthehen në Shqipëri për festa. Pas këtij komunikimi, do të jemi në Kapshticë, për t’u takuar me autoritetet e pikës kufitare të dy vendeve për marrjen e masave në kohë për të shmangur trafikun”, tha Balla.

“Dua t’ju informoj se sa i përket pyetjes që ju bëtë, ne presim këtë vit një numër përtej 14 milionë turistë. Policia e Shtetit i ka gati të gjitha masat për përballimin e këtij fluksi në rritje. Do të kemi komunikim të hënën për masat e marra nga të gjitha departamentet e Policisë për ta përballuar sezonit turistik”, nënvizoi Balla.

“Ajo që Shqipëria po dëshmon vit pas viti, mund të përmblidhet në 3 dimensione kryesore: Shqipëria ofron një turizëm falë një natyre të mrekullueshme me destinacione të bukura turistike; Shqipëria është vend mikpritës, fal popullit shqiptar, që e konsideron mikun njësoj si Zoti. Në shtëpinë e Shqiptarit miku e Zoti janë në krye të tavolinës. Së treti, siguria mbresëlënëse. Mjafton t’ju kujtoj se në 10 milionë turistët që erdhën në vitin 2023, s’kemi patur asnjë ngjarje kriminale ku të jenë përfshirë turistët. Turisti është kthyer në objekt të rëndësisë së veçantë. Duhet ta mbrojmë të gjithë. Ata përmirësojnë ekonominë tonë me ardhjen e tyre në Shqipëri”, tha Balla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat