Ligji i ri për turizmin, kryetari i Shoqatës së Turistëve ngre shqetësimin mbi standardet e bizneseve

Shqipëria

Ligji i ri për turizmin, kryetari i Shoqatës së Turistëve ngre shqetësimin mbi standardet e bizneseve

Më: 27 prill 2024 Në ora: 08:04
Foto ilustrim

Me ndryshimin e ligjit për turizmin çdo strukturë akomoduese do të duhet të kategorizohet. Duke folur mbi këtë çështje kryetari i Shoqatës së Turistëve Besnik Vathi tha në një studio televizive, se deri më sot hotelet janë vetklasifikuar. Ai vë në dukje se kjo gjë do të vazhdojë, nëse nuk do të ketë akte nënligjore, lidhur me organet që do miratojnë yjet e një hoteli, apo të dhënat teknike.

"Sa i përket këtij ligji, në raport me ligjin e kaluar, besoj se është më shumë një përditësim i ligjit me situatën dhe ndryshimet që kanë ndodhur gjatë 10 viteve të fundit.

Qëkur u bë ligji i ri, ne si biznese brenda shoqatave, kishim vërejtjet tona që në atë kohë. Unë mendoj që pavarësisht se ligji këtu parashikon detyrimin e çdo ambienti dhe struktura akomoduese, duke filluar nga apartamentet, të jenë të licencuara, dhe për t’u klasifikuar, nuk është mungesa e ligjit që do t’i detyrojë strukturat të licencohen. Pasi me ligjin tregtar, Kushtetutën, çdo subjekt që bën biznes duhet të regjistrohet. Portalet pas u kontaktuan nga qeveria vitin e kaluar, kërkuan që të bizneset të jenë të regjistruara me nipt.

Tashmë problemi s’është si do ndahen me yje pa yje, bujtinë, fjetinë, si do t’i quajmë, këtu është i domosdoshëm akti nënligjor. Nuk mbaron vetëm me këtë përcaktim detyrimi i hoteleve. Duhet të parashikohen si do jenë. Psh. hoteli me ‘5 yje’ duhet ta ketë dhomën mbi 25 metra/katror. Standardet janë ndërkombëtare por duhet të përditësohen me kushtet e Shqipërisë.

Deri tani hotelet vetklasifikohen. Nëse shohim hotele me dy, tre, katër, pesë, me përjashtim të hoteleve që janë brand-e ndërkombëtare, të njohura me 5 yje, por edhe ato kanë problematikat e tyre...

Deri më tani i kemi vendosur vet, dhe do vazhdojmë t’i vendosim vetë, nëse ky ligj përfundon me kaq sa është miratuar. Ne kemi akoma vërejtje për ligjin, por një pjesë e kërkesave u morën parasysh. Por gjykojmë që ka pasaktësi e probleme.

Mbase pas 5 vjetësh do të na thërrasin përsëri. Nuk vuanim thjesht për t’i përcaktuar, por duhet të kenë të dhëna teknike, ku do të aplikohet, si do të aplikohet. Aktet nënligjore do kenë edhe organet që do bëjnë miratimin. Sepse zgjidhja për të dhënë yje në hotele në vende të ndryshme, është e ndryshme, diku bëhen nga shoqata, diku nga kompani private, diku nga organet e pushtetit lokal dhe qendror.

Duhet të përcaktohen nga kush do bëhen dhe si do bëhen, dhe të dhënave teknike”.

Vathi shtoi se Shqipëria mund të ketë diku te 5 milionë turistë të huaj, pasi gjysma janë tranzitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat