Protestat para bashkisë? Tabaku: Asgjë të keqe të protestosh! Taksa për profesionet e lira, ulëritëse

Shqipëria

Protestat para bashkisë? Tabaku: Asgjë të keqe të protestosh! Taksa për profesionet e lira, ulëritëse

Më: 29 prill 2024 Në ora: 20:21
Jorida Tabaku

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka komentuar protestat e opozitës të mbajtura para bashkisë së Tiranës. E ftuar në “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, deputetja u shpreh se ‘nuk ka asgjë të keqe të protestohet’ ndërsa shtoi se skema korruptive në bashki duhej të ishte zbuluar nga hallkat e shtetit.

Më tej, ajo u ndal edhe tek çështja e profesioneve të lira, për të cilën tha se është ulëritëse nga pikëpamja e sistemit fiskal dhe barazisë para ligjit.

Tabaku: Është mirë, dhe nuk ka asgjë të keqe të protestohet. Ajo që ka ndodhur me Bashkinë e Tiranës është e pashpjegueshme. Nuk besoj se do ketë më vonë, një rast të tillë të ngritur dhe që për më tepër i dilet edhe për zot. Një skemë korruptive që nga viti 2016 ku drejtorë të bashkisë kanë marrë përfitime personale për kompanitë e tyre, miqtë, dhe që nuk është zbuluar nga asnjë hallkë e shtetit. Pak ditë më parë kryeministri spanjoll njoftoi që meqenëse kishte një insinuim për bashkëshorten e tij, do merrte një periudhë reflektimi për të gjykuar se si do vepronte në vijim. Dhe kjo tregon përgjegjësinë e një zyrtari kundrejt një zyrtari tjetër, që për çdo aferë korruptive as nuk skuqen as nuk zverdhen po dalin atje japin justifikimin e radhës dhe kalojnë.

Thënë kjo, çështja e profesioneve të lira, për mua është ulëritëse nga pikëpamje e sistemit fiskal dhe e drejtësisë përpara shtetit por edhe barazisë përpara ligjit, të asaj që duam të ndërtojmë. Janë 30 mijë profesionistë, plus familjet e tyre, punonjësit e tyre që do paguajnë një taksë të padrejtë. Ju thatë 23 për qind, por niveli i taksës po shkon në 30 deri në 40 % siç më thanë ata mua. Mënyra si po zbatohet ligji është komplet i gabuar. Sepse nga njëra anë promovohet ky modeli i bashkisë së Tiranës, 30 milionë euro është për ironi, kosto që i ka shkuar buxhetit të shtetit dëm me këtë model të bashkisë, me këto kompani që kanë marrë tendera për drejtorët e tyre dhe po 30 milionë i marrin shtresës së mesme dhe këtyre profesionistëve të lirë, me këtë taksën e re. Ky është absurdi i gjithë kësaj gjëje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat