Përleshje, gaz lotsjellës dhe molotov/ Përfundon protesta e opozitës, ekspertët e kriminalistikës bëjnë këqyrjen e vendngjarjes

Shqipëria

Përleshje, gaz lotsjellës dhe molotov/ Përfundon protesta e opozitës, ekspertët e kriminalistikës bëjnë këqyrjen e vendngjarjes

Më: 30 prill 2024 Në ora: 16:53 Përditësuar në ora: 20:26 më 30.04.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Përfundon protesta e opozitës, ekspertët e kriminalistikës bëjnë këqyrjen e vendngjarjes

Ekspertët e kriminalistikës kanë nisur këqyrjen e vendngjarjes para bashkisë së Tiranës pasi protesta e nisur nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka përfunduar pas rreth 3 orësh.

Protesta u shoqërua me fjalime nga përfaqësues të opozitës dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, por nuk munguan as përplasjet fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

Po ashtu protestuesit kanë hedhur edhe sot molotov drejt godinës së bashkisë, ashtu si në protestat e fundit, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Kujtojmë se pas protestave të javëve të fundit ka pasur edhe të arrestuar dhe hetime nga autoritetet për disa nga protestuesit.

Protesta para bashkisë, 1 efektiv policie transportohet me ambulancë drejt spitalit

Një efektiv policie që po shërbente në protestën para Bashkisë së Tiranës, po transportohet me ambulancë në drejtim të spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Sipas burimeve, mësohet se efektivi nuk është ndjerë mirë dhe ka humbur ndjenjat, duke u rrëzuar në tokë.

Ndërkohë ka qenë doktor Ilir Alimehmeti (Këshilltar i Bashkisë së Tiranës), i cili i ka dhënë ndihmën e parë efektivit.

Kujtojmë se protesta e ditës së sotme është shoqëruar me tensione, ku nuk mungoi edhe hedhja e molotovit nga ana e opozitës.

Protestuesit e Rithemelimit çajnë kordonin metalik, përplasen fizikisht me efektivët, policia hedh gaz lotsjellës

Është tensionuar sërish situata para bashkisë së Tiranës, teksa një grup protestuesish kanë carë kordonin metalik dhe janë përplasur fizikisht me efektivët e policisë.

Pas agravimit, policia ka përdorur gaz lotsjellës për t’i larguar.

Përshkallëzohet protesta e Rithemelimit në Bashkinë e Tiranës, nis hedhja molotovëve

Ka zgjatur vetëm pak minuta qetësia përpara Bashkisë së Tiranës, aty ku Rithemelimi po vijon protestën.

Situata është përshkallëzuar në hedhjen e molotovëve, shashkave, fishekzjarrëve dhe tymueseve.

Policia ka blinduar vendin, teksa gjatë kohës së hedhjeve të molotovëve kanë tentuar të shmangen.

Në pamjet e siguruara nga Top Channel shihet se vendi është nën pushtetin e tymit dhe shpërthimeve të vazhdueshme.

Nis protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës, aktorë e aktivistë: Jemi në prag të shfarosjes si komb

Ka para pak çastesh protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës.

Protesta ka nisur me fjalimin e aktorëve dhe aktivistëve. Neritan Liçaj, në fjalën e tij në protestën e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita tha se populli shqiptar duhet të reagojë për aferat korruptive.

“Mos mbani në pushtet horra dhe banditë. Vënë shqiptarin kundër shqiptarit. Këta e kanë shumë të shkurtër dhe këtë e dinë të gjithë. Kështu nuk mund të vazhdojmë më. Jemi në prag të shfarosjes si komb, nëse nuk reagojmë tani.”-ka deklaruar ai.

Policia ka marrë një plan masash, ku nga pamjet shihen dhjetëra policë për t’iu prirë çdo situate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat