Skandali me bashkëshortin e ministres Ibrahimaj, Pampuri: Kambanë alarmi për njerëzit e pambrojtur nga pushtetarët

Shqipëria

Skandali me bashkëshortin e ministres Ibrahimaj, Pampuri: Kambanë alarmi për njerëzit e pambrojtur nga pushtetarët

Më: 1 maj 2024 Në ora: 11:48
Oriola Pampuri

Nënkryetarja e PD Oriola Pampuri, në një deklaratë për mediat tha se rasti i bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, është një kambanë alarmi për njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur nga sulmet dhe dhuna e njerëzve të pushtetit.
Ajo shtoi se PD kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres Ibrahimaj si akti i parë i të treguarit të vullnetit dhe i fillimit të hetimeve të paanshme dhe të patrysnuara nga prokuroria.

Reagimi:

Rasti i bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, i cili u mbajt i fshehur nga autoritetet përgjegjëse dhe u bë publik vetëm kur media e pasqyroi, nuk është vetëm për të kuptuar se si funksionon pushteti në Shqipëri, por është edhe një kambanë alarmi për njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur nga sulmet dhe dhuna e njerëzve të pushtetit.

Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga bërja publike e ngjarjes, përveç një reagimi të vakët dhe aspak bindës nga ministrja Ibrahimaj, nuk kemi asnjë reagim zyrtar të qeverisë shqiptare apo të vetë Edi Ramës si shefi i drejtpërdrejtë i ministres në fjalë.

Ngjarja nuk është vetëm e shëmtuar si akt përmbajtësor, ku burri i ministres bëhet protagonist i zgjidhjes së “halleve” shtetërore të bashkëshortes së tij, por ajo është një ogur i keq për zgjidhjen e konflikteve apo të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës në të ardhmen.

Partia Demokratike e Shqipërisë kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres Ibrahimaj si akti i parë i të treguarit të vullnetit dhe i fillimit të hetimeve të paanshme dhe të patrysnuara nga prokuroria.

Partia Demokratike e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të denoncojnë të gjitha aktet e dhunës dhe të presionit shtetëror të kësaj qeverie si e vetmja rrugë dhe mënyrë për të dalë nga presioni dhe zgjedha e saj.

Ne jemi të vendosur për të qenë zëri i njerëzve të pa zë dhe mbrojtës të interesit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat