Probleme në qendrat shëndetësore, qytetarët ankohen për mungesë mjekësh, ambulanca mbyllen orar pa orar

Shqipëria

Probleme në qendrat shëndetësore, qytetarët ankohen për mungesë mjekësh, ambulanca mbyllen orar pa orar

Më: 1 maj 2024 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

Mungesë mjekësh, mungesë shërbimesh dhe ambulanca që mbyllen orar pa orar në fshat e qytet. Këto janë disa nga problematikat e shumta me të cilat përballen qytetarët në Qendrat Shëndetësore. Gjatë një vëzhgimi të bërë në zonat rurale të Beratit vihet re se ambulancat e fshatit funksionojnë në të shumtën e rasteve thjesht si godina ku marrin rrogën mjekët e infermierët, pasi edhe pse janë të hapura ato në të shumtën e rasteve janë pa personel brenda.

Banorët e fshatrave Velabisht e Starovë deklarojnë se të vetmet shërbime që ata marrin në qendrat shëndetësore janë kryerja e injeksioneve dhe rekomandimet. “E hapin dhe e mbyllin kur u do qejfi atyre, e shumta rrinë deri në orën 2 dhe pasdite nuk gjen asnjë hapur, edhe pse orari është deri në 7 të darkës. Ka raste që nuk e hapin fare dhe ne detyrohemi sa herë që sëmuremi që të shkojmë në Berat.

Nuk duan t’ja dinë se vdesim a se jemi gjallë, na japin një rekomandim dhe na përcjellin”, pohojnë banorët, që konfirmojnë se ka edhe mungesë mjekësh e infermierësh në këto qendra. Me të njëjtat problematika përballen edhe banorët e qytetit të Beratit, të cilët deklarojnë se ka mangësi të theksuara në çdo Qendër Shëndetësore.

Ata shprehen se pacientët shihen më shumë si “klientë” dhe shërbime merret vetëm kur mjeket dhe infermieret i gjen me orë të mira. Duke folur rreth këtyre problematikave, qytetarët shprehen se Qendrat Shëndetësore nuk duhet të shërbejnë thjesht për rekomandime e injeksione por edhe për të marrë mjekimin e parë siç është serumi sepse gjendja e krijuar në sistemin e shëndetësisë i detyron qytetarët të dynden drejt Spitalit Rajonal të Beratit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat