400 fluturime mbi Gjirokastër, piloti italian tregon eksperiencën në qytetin e gurtë

Shqipëria

400 fluturime mbi Gjirokastër, piloti italian tregon eksperiencën në qytetin e gurtë

Më: 2 maj 2024 Në ora: 18:07
Piloti italian Antonio Guzzi

Piloti italian Antonio Guzzi regjistron rreth 400 fluturime në aerodromin e Gjirokastrës. Ndërsa jeton në qytetin e Barit përgjatë dy viteve të fundit ka marrë pjesë rregullisht në aktivitetet për sportet e ajrit që janë zhvilluar në Gjirokastër.

“Për herë të parë në Gjirokastër kam fluturuar në vitin 2022 kur u hap edhe aerodromi, kam pasur nderin të jem piloti i parë me avion që jam ulur këtu, kam qenë pjesë e aktiviteteve për sportet e ajrit që janë zhvilluar përgjatë këtyre dy viteve, pista dhe peizazhi këtu janë shumë të bukur”, thotë ai.

Për pilotin italian aerodromi i Gjirokastrës përbën një resurs të veçantë për zhvillimin e turizmit. Pjesë e fluturimeve me avionë sportivë apo hedhjeve me parashutë janë edhe turistët që vizitojnë qytetin.

“Aerodromi i Gjirokastrës ka potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit, i takon strukturave shtetërore që të nxisin fluturimet e këtushme, sepse siç themi në pilotët : 1 kilometër rrugë nuk të çon askund ndërsa 1 kilometër pistë fluturimi të çon në të gjithë botën”, shprehet piloti.

Gjatë fluturimit në ajër, Gjirokastra e parë nga lart ofron pamje të veçanta, të cilat i kanë lënë mbresa pilotit Italian.

“Për një pilot dhe aq më tepër të huaj është diçka e veçantë ta shikosh Gjirokastrën nga lart, mbi të gjitha kështjellën. Qyteti prej guri shkëlqen si argjend, pastaj të fluturosh mbi këto male, madje të shikosh edhe detin është emocionuese”, thekson ai.

Ai ka përshtypjet më të mira për banorët e Gjirokastrës ndërsa i cilëson mikpritës dhe miqësorë

Piloti italian Antonio Guzzi shprehet se do të vazhdojë të fluturojë në qiellin e qytetit të gurtë për t’i ofruar të apasionuarve të sporteve të ajrit imazhet mbresëlënëse të Gjirokastrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat