Gjysma e huave për tregtinë dhe ndërtimin, rreth 55% e kredisë së re për biznesin u dha vetëm për këta dy sektorë

Shqipëria

Gjysma e huave për tregtinë dhe ndërtimin, rreth 55% e kredisë së re për biznesin u dha vetëm për këta dy sektorë

Më: 4 maj 2024 Në ora: 10:48
Foto ilustrim

Në muajin Mars të këtij viti huatë e reja të dhëna për bizneset dhe korporatat jofinanciare private të cilësuara sipas aktivitetit të tyre ekonomik paraqiten me rritje. Sipas të dhënave më të fundit nga “Banka e Shqipërisë” në lidhje me kreditimin gjatë marsit, rezulton se kredia për sektorin privat ka arritur në nivelin e 20.1 miliardë lekëve ose 20.8% më shumë se një vit më parë.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar se cilët sektorë të ekonomisë kanë marrë më shumë kredi gjatë muajit mars, dhe si kanë ndryshuar tendencat gjatë tremujorit të parë të vitit aktual? Përsa i përket sektorëve që janë mbështetur më së shumti nga kreditë e shpërndara gjatë muajit mars shohim që mbizotëron “Tregtia me shumicë dhe me pakicë”, me 6 mld lekë hua të marra nga banka, ose 30.3% të totalit.

Më pas, në vendin e dytë dhe të tretë renditen “Ndërtimi” dhe “Industria Përpunuese” me 4.9 mld lekë dhe 2.5 mld lekë kredi të re të huazuar nga banka. Këto të fundit përbëjnë 24.7% dhe 12.7% të kredisë totale të dhënë për sektorin privat. “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor” ndjek në vend të 4-tët, me rreth 1.3 miliardë lekë kredi të re gjatë muajit të 3-të të vitit.

Ndërkohë, sektorët si “Administrim publik dhe mbrojtje” apo “Furnizimi me ujë dhe menaxhimi imbetjeve” ishin sektorët me nivelin më të ulët të kreditimit. Nëse analizojmë trendin e portofolit të kredisë së bizneseve sipas aktivitetit ekonomik përgjatë tremujorit të parë të vitit aktual, vëmë re se gjatë muajit mars të vitit 2024, “Tregtia me shumicë dhe pakicë”, “Ndërtimi” dhe “Industria përpunuese” kanë rritur kreditimin krahasuar me 2 muajt e parë të vitit. Ndërkohë, nëse analizojmë zgjerimin e portofolit për secilin sektor në terma vjetorë, shifrat thonë se sektori i “Aktivitete financiare dhe të sigurimit” ka patur rritjen më të lartë me 2980% dhe “Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi” e ka zgjeruar portofolin me 840%. Nga ana tjetër, “Tregtia”  dhe “ Ndërtimi” në terma vjetorë e kanë rritur financimin me 12% dhe 136% përkatësisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat