Zëdhënësi i qeverisë greke reagon për vizitën “private” të Ramës: Nuk e kemi ftuar, por ...

Shqipëria

Zëdhënësi i qeverisë greke reagon për vizitën “private” të Ramës: Nuk e kemi ftuar, por ...

Më: 10 maj 2024 Në ora: 12:25
Pavlos Marinakis

Mediat greke shkruajnë se qeveria greke do të shohë me vëmendje mesazhet që do të japë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë takimit që do të mbajë me diasporën shqiptare në Athinë, më 12 maj.

CNN.gr thekson se vizita e kryeministrit shqiptar është private, dhe mbajtja e saj më datë 12 maj nuk është rastësi pasi përkon me përvjetorin e arrestimit të Fredi Belerit.

Media greke vijon në artikullin e saj duke nënvizuar se vizita e Ramës në Athinë ka shkaktuar shqetësim të madh te stafi i qeverisë, përfshirë kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, ndërsa ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis vuri në dukje se vizita e tij është e parakohshme. Megjithatë, ai shtoi se Greqia nuk do ta pengojë.

Duke folur për SKAI të premten, zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis e cilësoi vizitën e Ramës si private.

“Qeveria nuk e ka ftuar zotin Rama”, tha ai ndër të tjera për të nënvizuar: “Natyrisht që do të përgjigjemi nëse ka ndonjë arsye për t’u përgjigjur”.

Në pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse përmendet tema e Belerit, zëdhënësi i qeverisë greke u shpreh:

“Nuk është detyra jonë as të interpretojmë qëllimshmërinë e Edi Ramës dhe as të argumentojmë kundër një qëllimshmërie të pretenduar. Është detyra jonë me veprimet tona, jo me fjalë të bukura, të tregojmë respekt për shtetin ligjor dhe se kemi shumë të drejtë në anën tonë dhe nuk kemi frikë prej saj”, nënvizoi ai.

Kujtojmë se në intervistën që kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dha të mërkurën, theksoi se kryeministri Rama në vizitën e tij në Athinë nuk është i ftuar i qeverisë.

“Është e drejtë e tij, një zgjedhje që më duket e panevojshme”, tha Mitsotakis.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat