Dy ukrainase gjenden të pajeta në Tiranë si shkak i mbidozës së ilaçeve me përbërje narkotike, dyshohet se punonin si punonjëse seksi në Shqipëri

Shqipëria

Dy ukrainase gjenden të pajeta në Tiranë si shkak i mbidozës së ilaçeve me përbërje narkotike, dyshohet se punonin si punonjëse seksi në Shqipëri

Më: 11 maj 2024 Në ora: 07:44
Foto ilustrim

Dy ukrainase, përkatësisht Antonina Kozachenko 25 vjeçe dhe Anastasia Lopukhova 40 vjeçe, janë gjetur të pajeta në një apartament me qira në Tiranë. Dy vajzat dyshohet se punonin në Shqipëri si punonjëse seksi, ndërsa deri më tani raportohet se shkak i vdekjes dyshohet të jetë mbidoza e ilaçeve me përbërje narkotike.

Ukrainaset janë gjetur të vdekura ditën e djeshme, (10 Maj 2024) nga shoqja e tyre, në një apartament në katin e tretë të një pallati që të treja e kishin marrë me qira prej gati një jave në rrugën e Dibrës.

Nga ana tjetër, burime bëjnë me dije se tre ukrainaset kanë konsumuar ilaçin ‘xanas’ dhe ‘tramadol’ për disa orë, deri sa kanë rënë në gjumë. Ilaçi ‘Xanax’ me përbërje droge, nëse merret në doza të mëdha krijon varësi dhe në disa raste nëse konsumohet me doza të mëdha ose bashkë me ndonjë ilaç tjetër shkakton edhe vdekjen. Pas konsumimit të dy ilaçeve, dy vajzat 25 dhe 40 vjeçe nuk janë zgjuar më.

Shoqja e tyre kur është zgjuar nga gjumi i ka gjetur të pajeta, njëra prej tyre në kolltuk dhe tjetra në dysheme. Ajo është shoqëruar nga policia dhe qëndronte në vendin tonë prej rreth 2 muajsh. Ndërsa dy vajzat që humbën jetën, burime bëjnë me dije se kanë mbërritur në Tiranë më datë 1 Maj. Ukrainaset kanë kërkuar Xanax dy ditë më parë në një farmaci në kryeqytet dhe farmacistja nuk ka pranuar që ta shesë këtë ilaç pa recetë. Ndërkohë, njëra prej ukrainaseve ka kafshuar në dorë farmacisten dhe më pas janë larguar.

Farmacistja ka njoftuar në Policinë e Tiranës për ngjarjen e ndodhur, por dy vajzat ukrainase nuk janë lokalizuar për 48 orë, ndërsa sot u gjetën të vdekura. Njoftohet se është ngritur grupi hetimor së bashku me ekspertë të ADN-së dhe Ekspertimeve Biologjike pranë Institutit të Policisë Shkencore të cilët ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Grupi hetimor është duke kryer verifikime për sa i përket aktivitetit të tyre në vendin tonë. Sipas burimeve të policisë, ka dyshime të arsyeshme që ishin punonjëse seksi, ndërsa do të bëhet ekspertimi i celularëve për të vërtetuar ose hedhur akuzat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat