​Bombardimi i konsullatës në Ukrainë, Qeveria shqiptare interesohet për provat

Shqipëria

​Bombardimi i konsullatës në Ukrainë, Qeveria shqiptare interesohet për provat

Më: 11 maj 2024 Në ora: 22:26
Foto ilustrim

Qeveria e Shqipërisë ka nisur përpjekjet të dokumentojë me prova ligjore, shkatërrimin e Konsullatës Shqiptare në Ukrainë nga një sulm i Rusisë.

Nga burime në dijeni të kësaj përpjekje iniciuar nga kryeministri Edi Rama dhe që po ndiqet nga ministri Punëve të Jashtëm Igli Hasani, Top Channel ka mësuar se tashmë ka nisur një korrespondencë mes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Prokurorisë së Përgjithshme Shqiptare dhe asaj të Ukrainës.

Shefi i akuzës shqiptare Olsian Cela disa ditë më parë i ka dërguar homologut të tij ukrainas Andriy Kostin, një kërkesë për tu përditësuar në lidhje me mbledhjen e provave të kërkuara nga pala shqiptare.

Në letrën e parë nga Top Channel Prokurori i Përgjithshëm Olsian Cela thotë:

“Kjo kërkesë vjen në vijim të referimit nga ana e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Kërkojmë informacion mbi ecurinë e procedimit datë 9.11.2022 të regjistruar në zyrën e Prokurorisë Publike të Rajonit Kharkiv, lidhur me ngjarjen e datës 6 Mars 2022 ku Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë njëkohësisht banesa e Konsullit të Nderit Shahkin Omarov, ka qenë objekt i sulmeve të forcave ruse me pasojë shkatërrimin e tyre”.

Kërkesa e Shqipërisë e para e këtij lloji, vjen pas qëndrimeve të forta pro Ukrainës nga vendi ynë si pjesëmarrës në Këshillin e Sigurimit të OKB, nga ku u prodhua një përplasje e fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorit rus në këshill, ku ishte i ftuar të fliste presidenti Ukrainës Volodimir Zelensky.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat