Tkurret numri i studentëve/ Në auditorë 4300 të rinj më pak se vjet, “biznesi” dhe “ligji” degët e preferuara

Shqipëria

Tkurret numri i studentëve/ Në auditorë 4300 të rinj më pak se vjet, “biznesi” dhe “ligji” degët e preferuara

Më: 12 maj 2024 Në ora: 21:05
Foto ilustrim

Në auditore janë ulur 4 358 studentë më pak se vjet.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se këtë vit akademik, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 116.994 studentë, duke shënuar rënie prej 3,6 % krahasuar me 2022-2023. Tkurrja më e madhe ndihet në ciklin e parë bachelor, me uljen e numrit të studentëve me rreth 4000. Kurba rënëse është më fortë po të bëjmë llogaritë për dy vite që mungojnë përafërsisht 7000 studentë në të gjithë institucionet e arsimit të lartë.

Ndërsa preferencat e të rinjve duket se nuk ndryshojnë. Vendin e parë në përzgjedhjen e fushave të studimit e mban ‘biznesi, administrimi dhe ligji”, ku është përqendruar një e katërta e numrit total të studentëve.

Regjistrimet në rritje u shënuan në programet e mjekësisë dhe mirëqenies, ku nga mbi 22 mijë studentë vjet, u shtuan 2000 studentë më shumë këtë vit akademik. Si dhe përmirësim shifrash kanë programet e inxhinierisë, prodhimit dhe ndërtimit. Por panorama shfaqet e zymtë në degët e shkencave natyrore dhe të mësuesisë, me rënie numrash katërshifror.

Ajo që bie në sy nga statistikat e INSTAT është rritja e numrit të studentëve të doktoraturës, që pas zhbllokimit të procedurave, interesi vijon të jetë i lartë për fitimin e titujve e gradave shkencore si doktor, profesor e profesor i asociuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat