Dosja “Metamorfoza”/ GJKKO shtyn seancën për biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-shefin e Operacionales Oltian Bistri dhe ish-prokurorin!

Shqipëria

Dosja “Metamorfoza”/ GJKKO shtyn seancën për biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-shefin e Operacionales Oltian Bistri dhe ish-prokurorin!

Më: 13 maj 2024 Në ora: 11:01
Pëllumb Gjoka dhe Oltian Bistri

GJKKO ka shtyrë seancën për biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-shefin e Operacionales Oltian Bistri dhe ish-prokurorin, Xhevahir Lita.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se Gjykata e Posaçme vendosi të shtyjë seancën ndaj të pandehurve të dosjes “Metamorfoza” për në 24 maj në orën 10:00.

Sipas gazetares, seanca u shty për shkak të mungesës së të pandehurit Xhevahir Lita dhe avokatit të tij mbrojtës.

Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistri dhe ish-prokurorin Xhevahir Lita, si edhe 4 të pandehur të tjerë, pjesë e dosjes “Metamorfoza” dhe dërgoi dosjen për gjykim në GJKKO më 4 maj.

Ndaj Oltian Bistrit është ngritur akuza për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndaj Pëllumb Gjokës, akuzat për “Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës Gjin Ndoj (Boriçi), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Kleant Musabelliu, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”,  dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Ndërsa ish-prokurori akuzohet për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer 2 (dy herë), dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Gjithashtu është dërguar për gjykim dosja për Behar Brajoviqin, Edmond Prekën, Astmer Bilalin dhe Ardrit Hasanbegajn.

SPAK njofton se janë sekuestruar 3 pasuri të paluajtshme të llojit “Pyll”, me sipërfaqe totale prej 390 000 m2 në plazhin e Velipojës dhe pasuri të paluajtshme të llojit ndërtesa, me vlerë 980 300 Euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat