Zv/ministrja e Financave te “Ligjet”: Ne jemi gati, pala greke s’ka dhënë “Ok”

Shqipëria

Zv/ministrja e Financave te “Ligjet”: Ne jemi gati, pala greke s’ka dhënë “Ok”

Më: 13 maj 2024 Në ora: 13:23
Zv/ministrja e Financave te “Ligjet”: Ne jemi gati, pala greke s’ka dhënë “Ok”

Zv/ministrja e Financave, Olta Manjani raportoi para komisionit parlamentar të Ligjeve për marrëveshjen e pensioneve me Italinë. Opozita ka shprehur dakordësinë e saj për këtë marrëveshje. Deputetja demokrate, Dhurata Çupi u shpreh se ky është një zhvillim mjaft pozitiv për mijëra bashkëkombas në Itali, të cilëve iu njihen vitet e punës dhe përfitojnë prej saj. 

Sa i takon marrëveshjes me Greqinë, Çupi e pyeti numrin dy të Financave se kur do të konkludohet procesi duke ditur interesin dhe numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj.

Duke dhënë detaje, Manjani u shpreh se qeveria shqiptare është gati, por pala greke nuk ka dhënë miratimin përfundimtar, vendim të cilin ajo e quajti të ndikuar nga vullneti politik i Athinës.

Nga marrëveshjet e qeverisë me vendet e tjera ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, Olta Manjani tha se deri tani kanë përfituar 6500 qytetarë nga 12 shtete të ndryshme.

Dhurata Çupi: Marrëveshja është shumë e rëndësishme, opozita do ta votojë pro kësaj marrëveshje me impakt për vëllezërit dhe motrat tona në Itali. është një lajm shumë pozitiv. Mund të na thoni sa shqiptarë kanë përfituar nga marrëveshjet me shtetet e tjera si Austrinë, Gjermaninë, për të krijuar një lloj ideje sa nga këto marrëveshje përfitojnë shqiptarët jashtë vendit?

Kur do të na vijë marrëveshja me Greqinë? Sepse duhet ta kemi parasysh se Italia dhe Greqia, më pas Britania e Madhe janë vende me impakt të jashtëzakonshëm për xhepat e pensionistëve shqiptarë jashtë vendit…

Olta Manjani: Me Turqinë ka 737 aplikues dhe përfitues, me Maqedoninë 145, Belgjikën 631, me Hungarinë 44, Luksemburgu 142, Çekinë 164, me Gjermaninë numri është më i lartë për shkak të prezencës së shqiptarëve aty, janë 3614 përfitues, me Bullgarinë 25, me Austrinë 908, me Kosovën 18, me Kanadanë 62 dhe me Zvicrën 1 përfitues. Në total janë rreth 6500 përfitues të cilët kanë aplikuar pas nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të marrëveshjeve që nga viti 2005.

Lidhur me marrëveshjen me Greqinë, nga 2023 kemi bërë dy raunde bisedimesh në nivel teknik, ku janë prezantuar skemat e sigurimeve të të dy instituteve për t’u njohur me përputhshmërinë e skemave. Jemi në pritje të palës greke për të konfirmuar fillimin e negociatave. Sigurisht që dio kërkojë vullnet politik nga pala greke, pala shqiptare është gjithmonë gati nëse pala greke bie dakord për negociatat. Do jetë marrëveshje kryesore si ajo me Italinë për shkak të numrit të madh të shqiptarëve. Kërkohet vetëm vullnet politik nga pala greke.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat