Amb.Gonzato: Shqipërisë për në BE i duhet një administratë e aftë, transparente dhe e pavarur

Shqipëria

Amb.Gonzato: Shqipërisë për në BE i duhet një administratë e aftë, transparente dhe e pavarur

Më: 13 maj 2024 Në ora: 17:59
BE mbështet reformimin e administratës shqiptare

Diplomatë të Bashkimit Europian nxitën sot Shqipërinë që të fuqizojë administratën publike sipas standarteve të kërkuara europiane.

Drejtuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian, ambasadori Silvio Gonzato, theksoi sot se çelësi i suksesit në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në është një administratë e aftë, transparente dhe e pavarur.

Bashkimi Europian ka punuar fort vitet e fundit me autoritetet shqiptare për të modernizuar administratën publike, ndërsa përfaqësues të BE-së vlerësojnë se tashmë procedurat e rekrutimit të punonjësve janë më shumë transparente dhe aftësitë e tyre në punë janë më të mira.

Por drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, pohoi se ende ka sfida përpara, siç është ndershmëria dhe transparenca në procedurat e prokurorimeve, dhe kushtet për të tërhequr njerëzit e talentuar në administratën publike.

Ai i bëri këto komente në një takim të gjerë me një grup punonjës të rinj të administratës trajnuar rishtas dhe me ministren e shtetit për administratën publike dhe antikorrupsionin, ku theksoi se Shqipëria është në një fazë të rëndësishme dhe të përshtatshme sa i takon negociatave të anëtarësimit.

“Për këtë fazë është e madhe rëndësia e një administrate publike, e cila është kompetente, e pavarur, transparente, se ajo është çelësi për suksesin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit. Reformimi i administratës publike është midis pikave themelore në kapitullin në hapje të negociatave si dhe në mbyllje të tyre. Administrata publike është makineria që zbaton përparësitë politike të vendit. Shërbimi publik është shtylla e një shteti, por ky rol herë pas here nënvlerësohet për rëndësinë e madhe të punës që bën”, theksoi ambasadori Gonzato.

Përfaqësues të qeverisë pohuan se po punohet fort që funksionet publike të kthehen në një alternativë tërheqëse për të gjithë profesionistët e rinj shqiptarë, të cilët deri tani e kanë parë me skepticizëm punën në administratën publike.

Ministrja e shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, tha në tubim se krahas sistemit të pagave dhe projekteve, në të cilat po përgatitet administrata sipas koncepteve dhe parimeve europiane, Shqipëria po shkon përherë e më pranë BE-së dhe BE më pranë Shqipërisë.

“Sot jemi më afër se kurrë ëndrrës europiane, por jemi gjithashtu të vetëdijshëm se rruga që na pret përpara nuk është aspak e lehtë. Shqipëria ka treguar dhe po tregon dita ditës se nuk i mungon guximi për të ndërmarrë të gjitha reformat e domosdoshme si në fushën e shtetit të të drejtës, ashtu edhe në fushën e mirëqeverisjes, si parakushte për avancimin e procesit të negociatave”, tha zonja Pirdeni.

Ajo shtoi se angazhimi i Shqipërisë në procesin screening me BE-në është një dëshmi e guximit dhe besimit të administratës publike shqiptare se perspektivë europiane është tërësisht e mundshme, nëse angazhohet fuqishëm me të gjithë hallkat e saj.

Në kalendarin e reformave për vitin 2024 Shqipëria është angazhuar të plotësojë reformimin e sektorëve të antikorrupsionit, menaxhimit të financave publike, si dhe të administratës publike.

Ekspertët europianë besojnë se standarte bazuar në meritokraci Shqipërisë i nevojitet të zbatojë sa u takon rekrutimeve në zyrtarë të nivelit të lartë, si dhe në administratën e pushtetit vendor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat