Ministri i Financave, Ervin Mete: Plan për rritjen e kreditimit, mbështetje për sektorët e ekonomisë që kanë më shumë nevojë

Shqipëria

Ministri i Financave, Ervin Mete: Plan për rritjen e kreditimit, mbështetje për sektorët e ekonomisë që kanë më shumë nevojë

Më: 13 maj 2024 Në ora: 19:44
Ministri i Financave, Ervin Mete

Ministri i Financave, Ervin Mete, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një pozicion të favorshëm për të rritur ambicjen e zgjerimit të aksesit në financë dhe për të forcuar rolin e sektorit bankar në zhvillimin e sektorit privat në vend. Gjatë fjalës së mbajtur në 25-vjetorin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, Ministri Mete u shpreh se kërkohet tanimë një angazhim më i madh i sektorit bankar për sa i përket kreditimit dhe mbështetjes së ekonomisë, ndërsa tha se për këtë Ministria e Financave po diskuton për një plan të përbashkët me Bankën e Shqipërisë.

“Janë 4 drejtime të cilat kërkojnë avancimin e përpjekjeve tona të përbashkëta dhe një përfshirje më të gjerë të sektorit bankar. Së pari, ky sektor duhet të jetë edhe më aktiv sa i përket kreditimit dhe mbështetjes së mëtejshme të zhvillimit të ekonomisë. Së dyti, i duhet kushtuar vëmendje e posaçme alokimit sa më eficient të fondeve drejt sektorëve më produktivë të ekonomisë. Së treti, paralelisht me rritjen e kreditimit dhe përmirësimin e alokimit të fondeve, duhet bërë më shumë, në drejtim të rritjes së përfshirjes financiare të popullsisë. Dhe së fundi, por jo më pak i rëndësishëm, inovacioni, digjitalizimi dhe modernizimi i mëtejshëm i shërbimeve, kur jetojmë në Botën e Fintech dhe inteligjencës artificiale, duhet të mbetet një prioritet i sektorit bankar,” u shpreh Ministri i Financave Ervin Mete.

Ministri theksoi se sistemi bankar në Shqipëri ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit. Shprehje e këtij konsolidimi ka qënë edhe përballimi i suksesshëm i goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit, me tërmetin, pandeminë dhe së fundmi efektet e zhvillimeve gjeopolitike dhe situatat inflacioniste.

Ministri Mete tha gjithashtu se Plani i Rritjes, i miratuar nga Këshilli Europian dhe që pritet tashmë të nisë zbatimin përmes një plani ambicioz reformash, do të shërbejë si një shtysë për përshpejtimin e procesit të integrimit, duke sjellë për vendet e rajonit disa nga përfitimet e anëtarësimit përpara hyrjes në BE, siç është edhe rasti i anëtarësimit të mundshëm të Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro, me përfitime të konsiderueshme dhe ulje të kostove të transaksioneve bankare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat