2 mijë vetë nga Shqipëria me autobusë drejt Athinës? Rama u kthen përgjigje mediave greke

Shqipëria

2 mijë vetë nga Shqipëria me autobusë drejt Athinës? Rama u kthen përgjigje mediave greke

Më: 13 maj 2024 Në ora: 22:56
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama u ka kthyer përgjigje pretendimeve të mediave greke se nga Shqipëria udhëtuan 2 mijë persona me autobusë për takimin e së dielës në Athinë me emigrantët shqiptarë.

Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu dhënë në Athinë pas fjalimit të tij para emigrantëve, Kryeministri Rama e hodhi poshtë këtë teori.

“Ne nuk kemi angazhuar asnjë lloj autobusi në kuptimin e angazhimit tonë dhe mbikëqyrjes tonë. Që këtu kanë ardhur njerëz nga shumë vende dhe që gjëja doli jashtë parashikimit… Këto hsitoritë e medias greke janë si historitë e medias shqiptare. Kemi shumë gjëra, jo në të gjitha gjërat, në shumë gjëra ne jemi më pak të lëndueshëm, më pak emocional, më pak nacionalistë, por në fushën e medias është njësoj”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.

Sa i përket raporteve mes dy qeverive dhe mes tij e Kryeministrit Mitsotakis, Rama u shpreh se pala shqiptare nuk ka konflikt me shtetin grek për shkak të çështjes “Beleri”, pasi nuk e konsideron të tillë këtë të fundit.

“Duhet të ketë një arsye që sot jemi në një situatë tjetër. Nuk jemi në një situatë konflikti. Unë këtë e shoh si një konflikt të perceptuar edhe të jetuar si të tillë nga pala greke por ne nuk kemi konflikt. Flas vazhdimisht drejtpërdrejt me të. Nuk ka një çështje me këtë emër për ne, nuk ekziston. Në këtë rast them që çështjet e përbashkëta kërkojnë zgjidhje. Çështja e ligjit të luftës është një çështje që ekziston, çështja e përcaktimit të kufijve detarë, çështja e përfundimit të procesit të pranimit të shqiptarëve me dokumentet e nevojshme dhe në këtë çështje është bërë një përparim i rëndësishëm dhe kam besim që së shpejti shqiptarët e Greqisë do marrin atë që presin. Dhe në këtë kuptim një çështje e mbetur pezull është një çështje e përbashkët. Çështje pastaj që mund t’i krijojmë ne, Shqipëria ose Greqia janë çështje që pala tjetër nuk është e detyruar të ndihet në nevojë për të dhënë një përgjigje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat