Analisti Fatos Lubonja komentoi vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë, në kuadër të turit të takimeve me emigrantët shqiptarë. Në një intervistë për mediat dje , Lubonja theksoi se kryeministri në Athinë bëri patriotizëm për shpëlarje.
Sipas tij, Rama dhe politikanët e tjerë dëbuan shqiptarët nga atdheu me politikat e tyre. Ai tha se parë në këtë sens, Rama dhe politikanët e tjerë të Shqipërisë janë armiq të vendit.
“Unë mendoj se shkaku kryesor pse Rama ka shkuar në Greqi është patriotizëm për shpëlarje, dmth kur regjimet kërkojnë të shpërlajnë veten nëpërmjet një evenimenti. Kështu bën për shembull Arabia Saudite duke bërë evente të ndryshme si kampionat botëror në futboll. Kjo vizitë vjen kur mbi Ramën ka një sërë akuzash. Kryeministri donte të vinte në dukje mburrjen kombëtare. Fjalët e Ramës nuk janë patriotizëm i vërtetë. Rama tha se në vitet 1990 shqiptarët kanë qenë gjasme të përulur, ndërsa tani jemi gjasme të barabartë se flet sikur Shqipëria është bërë.
Meritë e Ramës dhe politikanëve tanë ndër vite është se i kanë dëbuar shqiptarët. Rama iu ngacmoi kompleksin e inferioritetit emigrantëve. Beleri është në burg për interesat e oligarkisë që do të grabisë tokat në jug dhe ju thotë që ky nuk duhet se gjasme nuk na duhet një person i tillë e patriotizma të tillë. Rama është mjeshtër i spektaklit. Kryeministri është manovrator, që përdor herë gjuhën e patriotizmit e herë atë të internacionalizmit, sipas interesave që ka, për të fshehur fytyrën e një njeriu që është në krye të një regjimi. Neve na sundojnë më lehtë me ndihmën e ndërkombëtarëve. Rama në një kuptim është armik i Shqipërisë”, deklaroi Lubonja.
Në lidhje me protestën e nesërme përpara Bashkisë së Tiranës, Lubonja deklaroi se edhe opozita ka problemet e saj. Sipas tij, duhen gjetur akte proteste të tilla që të bëjnë më tepër efekt.
“Protesta është e rëndësishme, për të nxitur edhe SPAK që këta njerëz kërkojnë që drejtësia të veprojë. Edhe opozita ka probleme, sepse nuk thith dot qytetarë. Duhen gjetur akte që bëjnë efekte. Në Sajgon u rrëzua një regjim, sepse murgjet atje u dogjën në mes të vendit dhe amerikanët, që mbështetën një regjim, u tërhoqën”, nënvizoi Lubonja.