U vra me plumb në kokë, efektivi Novruz Cenalia ishte martuar një muaj më parë/ Autori ndodhej në makinë me nënën e tij kur e ekzekutoi?

Shqipëria

U vra me plumb në kokë, efektivi Novruz Cenalia ishte martuar një muaj më parë/ Autori ndodhej në makinë me nënën e tij kur e ekzekutoi?

Më: 14 maj 2024 Në ora: 10:54
Novruz Cenalia

Mbeten ende mister rrethanat e vrasjes së efektivit të “Shqiponjave” në fshatin Baltëz të Fierit, Novruz Cenalia, 28 vjeç. Policia pretendon se ngjarja ndodhi pas një konflikti të momentit, por nuk përjashtohet as pista e hakmarrjes. BalkanWeb raportoi dje se familja e policit ishte përfshirë në një ngjarje të rëndë në vitin 2005 në vendlindje dhe më pas ishin zhvendosur nga Hasi për në zonat e Fierit, për t’i shpëtuar një hakmarrje të mundshme.

Ndonëse shkaqet mbeten të paqarta, autori i krimit vijon të jetë në arrati prej mesditës së djeshme, pavarësisht nga mobilizimi i Policisë së Shtetit, përfshirë edhe njësinë elitare, RENEA, kapja e tij nuk është bërë e mundur. Mësohet se policia ka lokalizuar vendin ku fshihet Asllan Azgan Mernica, 23 vjeç, por pa mundur ta zbulojë. Policia e Shtetit njoftoi se ofronte 3 mln lekë shpërblim për këdo që jep informacionin që çon në arrestimin e 23-vjeçarit.

Balkanëeb mëson gjithashtu se Novruz Cenalia ishte martuar rreth një muaj më parë. Mesditën e djeshme ai kishte veshur uniformët e “Shqiponjave” dhe po i drejtohej komisariatit për të marrë shërbimin. Rrrugës, në fshatin Baltëz automjeti i tij ndalon dhe nga një makinë përballë hapet zjarr. Novruz Cenalia merr një plumb në kokë dhe për pasojë humb jetën në vendin e ngjarjes.

Dyshohet se Asllan alias Azgan Mërnica ka qenë së bashku me nënën e tij në makinë kur ekzekutoi efektivin. Pas vrasjes, bashkë me nënën e tij u largua për rreth 4 km nga vendngjarja dhe braktisi makinën në banesën e dajës së tij. Dëshmia e nënës së autorit pritet të hedhë dritë mbi arsyet e vrasjes së efektivit të policisë, Novruz Cenalia.

Autori i ekzekutimit të efektivit në Fier mësohet se është vëllai i një të dënuari me 19 vite burg për vrasje. Ngjarja ku është përfshirë vëllai i Asllan alias Azgan Mernicës ka ndodhur më 13 gusht të vitit 2019 në Fier.

Kiri Mernica dyshohet se në bashkëpunim me e Sadri Selaci masakruan me thikë të riun Florian Selimi dhe më pas trupin e tij e hodhën në një kanal ku u gjet pas disa orësh kërkime.

Në janar 2023 Gjykata e Fierit i ka dënuar me 19 vite burg dy autorët, Kiri Mernica dhe Sadri Selaci. 23-vjeçari Florian Selimi ishte goditur me thikë në qafë dhe trupi i tij ishte tërhequr për disa metra nga vendngjarja. Sipas Policisë, vrasja është kryer më datë 11 gusht, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur mëngjesin e 12 gushtit në një kanal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat