Tre persona që dyshohet se kanë ndërhyrë në lumin Vjosë duke shkaktuar 3 milionë lekë dëm janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Fierit dhe akuzohen për ‘Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura’.
Njoftimi i policisë:
Ndërhynë në Lumin Vjosë duke shkaktuar 3 milionë lekë dëm, Prokuroria Fier dërgon në gjyq 3 shtetas për ‘Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura’
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal në ngarkim të shtetasve A.L, E.L dhe F.S të akuzuar për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, e parashikuar nga neni 202/b dhe 25 i Kodit Penal. Nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier është pranuar kërkesa për ta dërguar çëshjen penale në gjykim.
Nga hetimet u provua se, të pandehurit në kundërshtim me kërkesat e legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura, kanë kryer veprime që kanë shkaktuar përkeqësim të rëndë të habitatit, që ndodhet brenda zonës së mbrojtur mjedisore. Të pandehurit kanë kryer veprime drejtim të marrjes së zhavorrit në Lumin Vjosë, lum i cili është shpallur ‘Park Natyror’ përmes VKM nr. 59, datë 26.01.2022. Nga veprimet e kryera të pandehurit kanë shkaktuar një dëm në vlerën 3.000.000 lekë.
Prokuroria Fier po ndjek me prioritet dhe është plotësisht e angazhuar për identifikimin dhe hetimin e veprave penale kundër mjedisit.