Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço i ftuar në emisionin “Top Story” me Grida Dumën në Top Channel foli për atentatin në Sllovaki ku mbeti i plagosur kryeministri Robert Fico, ku analizoi të gjitha ngërçet e sigurisë.
Sipas Karamuços, ka pasur një dështim total të trupave të sigurisë rreth kryeministrit sllovak. Ai tha se nuk funksionoi asnjë element sigurie dhe se asnjë prej truprojave nuk ishte i vendosur në pozicionin e duhur.
“Mungon ajo valixhja që hapet për të mbrojtur kryeministrin dhe kështu disa plumba mund të ishin shmangur. Në atë moment mund të ketë pasur 3 apo 4 bodiguardë para dhe vetëm njëri pas. Kanë rënë të gjitha elementet e sigurisë qoftë të mbrojtjes së afërme apo të rrethit më të gjerë. Nuk ka funksionuar asgjë”- tha Karamuço.
Ndër të tjera ai renditi disa prej veprimeve që truprojat e Ficos duhet të kishin ndërmarrë për sigurinë e tij gjatë takimit me mbështetësit.
“Në momentin kur një person thërret, të gjithë truprojat duhet të shikojnë duart e personit. Duhet të qëndronin tre persona, një mbrapa, dy anësorë. Ulja e dorës së autorit është në 7 sekonda me vonesë. Janë qëlluar 4 plumba. Dy i ka në bark”- shtoi ndër të tjera profesori i kriminalistikës.
Gjendja e kryeministrit sllovak paraqitet tepër e rëndë. Autoritetet vendase e cilësuan atentatin si të nxitur politikisht pavarësisht se autori 71 vjeçar, një shkrimtar i njohur deklaroi se e kishte bërë këtë akt ekstrem sepse nuk ishte dakord me politikat e Ficos.