Mashtrimi me faturat tatimore dhe dëmi mbi 50 mln lekë ndaj shtetit, Prokuroria e Tiranës kërkon burg për biznesmenin

Shqipëria

Mashtrimi me faturat tatimore dhe dëmi mbi 50 mln lekë ndaj shtetit, Prokuroria e Tiranës kërkon burg për biznesmenin

Më: 19 maj 2024 Në ora: 10:45
Foto ilustrim

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrest me burg dhe masa sigurie për 4 persona që dyshohet se kanë shkaktuar 53 milionë lekë dëm ndaj shtetit, duke shmangur detyrimet tatimore.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, njofton se pas një pune disa mujore me metoda speciale të hetimit, finalizoi me sukses operacionin e koduar ‘Mashtrimi’, duke bërë të mundur ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhoma penale, e cila caktoi masa sigurimi ndaj 4 shtetasve: Shtetasi S.M. ‘arrest në burg’; dhe Shtetasit Z.R. E.S. dhe P.K. ‘Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore’.

Nga analizimi i provave të grumbulluara, rezulton se 3 subjekte tregtare u krijuan për të kryer importet në favor të tregtarëve të ndryshëm, që këta të fundit ta marrin produktin pa faturë. Këto shoqëri objekt hetimi, kanë funksionuar si ‘nipte shëtitës’ dhe personat (tregtarë) që fshihen pas këtij aktiviteti përfitojnë të ardhura duke mos deklaruar xhiron reale, shmangur detyrimet tatimore dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 53.000.000 lekësh.

Nga hetimet, rezultoi se këto subjekte kanë kryer importe të mallrave të ndryshme, të cilat janë përdorur për rishitje nga subjekti kundrejt pagesës (ose pa dijeninë e tyre).

Shtetasi S.M. ka përdorur të dhënat e tre shtetasve Z.R., E.S. dhe P.K. me të cilat ka regjistruar këto subjekte dhe ka kryer çdo veprim në emër të tyre. Këta shtetas kanë konsumuar elementet e veprës penale ‘Krijimi i skemës së mashtrimit në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar’, ‘Fshehje të ardhurash’ dhe ‘Moskallëzim të krimit’ të parashikuara nga nenet 144/a, 180, 300 të Kodit Penal.

Gjithashtu, dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë persona, subjekte të tjera, studio kontabiliteti, si dhe funksionarë të administratës shtetërore, për të cilët vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat