KPA e përjashtoi nga sistemi, si tentoi Alfred Balla t'i shpëtojë vetting-ut

Shqipëria

KPA e përjashtoi nga sistemi, si tentoi Alfred Balla t'i shpëtojë vetting-ut

Më: 21 maj 2024 Në ora: 16:56
Alfred Balla

KPA vendosi sot të largojë nga sistemi i drejtësisë, Alfred Ballën, kreun e KLP-së. Vendimi është dhënë nga KPA ka lënë në fuqi kërkesën e Komisionerit Publik, i cili kërkoi largimin e Ballës për 15 vjet nga sistemi, ndërsa KPK më parë përmes procedurave, kishte lejuar që kreu i KLP të vijonte detyrën pa iu nënshtruar procesit të vetting.

Në shkallën e parë të Vetting-ut, Balla pretendoi që të mos i nënshtrohej procesit të rivlerësimit me argumentin se ai nuk kishte status magjistrati, pasi ishte larguar si ndihmës-ligjor, funksion që ka ushtruar në Gjykatën e Lartë. Pra, Alfred Balla duke përdorur procedurat, tentoi t’i shpëtonte procesit të Vetting, që siç tregoi gjykimi në shkallën e parë, KPK, i dha rezultat.

Duket se procedura e ndjekur nga kreu i KLP-së, Alfred Balla, kishte të bënte me një interpretim nëse ai mund ti nënshtrohej vetting-ut ose jo, pasi në momentin që ligji hyri në fuqi, ai humbi statusin e magjistratit.

Kjo duket se ishte hapësira që është shfrytëzuar nga Balla, edhe pse bazuar në statusin që kishte si ndihmës ligjor, ai ishte subjekt i vetting, përpara se ligji të miratohej.

Dhe në lojën për ti shpëtuar vetting,  Alfred Balla përdori edhe një padi në Gjykatën Administrative, për të interpretuar nëse ai ishte ose jo subjekt, referuar mënyrës se si kishte humbur statusin e magjistratit.

Në argumentet proceduriale, Balla pretendonte se statusin e gëzonte deri në momentin e emërimit në KLP, ndërkohë që urdhri i lirimit e kishte dhënë efektin pasi institucionet e konsideronin si ish-ndihmës ligjor.

Tjetër argument që u paraqit ishte fakti se Balla nuk kishte kryer Shkollën e Magjistraturës e për rrjedhojë, Komisionit do t’i mungonte ky komponent në rivlerësimin e profesionalizimit.

Balla pretendoi se në kushtet që nuk ka asnjë akt ku të jetë paraqitur dorëheqja nga ana e tij, nuk mund të aplikohet neni G i Aneksit të Kushtetutës.

KPK nuk arriti të merrte një vendim për Alfred Ballën, i cili bashkë me anëtarët jo-magjistratë të tjerë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, nisën një proces që të mbeteshin pjesë e sistemit të drejtësisë si magjistratë pas përfundimit të mandatit të tyre si anëtarë të KLP dhe KLGJ.

Në këtë kuadër, janë disa propozime që janë hedhur për shqyrtim ose debat, përmes të cilave synohej që anëtarët jo magjistratë të dy institucioneve të integroheshin në sistemin e drejtësisë, si gjyqtarë, madje duke synuar Gjykatat e Apelit.

Pra, ajo që dukej se po synohej, jo vetëm nga Alfred Balla si drejtues i KLP-së, por edhe anëtarët e tjerë jo magjistratë, ishte një integrim në sistem, duke shfrytëzuar edhe statusin që kanë si anëtarë të KLP apo KLGJ, duke shmangur procesin e vetting, në përfundim të mandateve të tyre si anëtarë të institucioneve që konsiderohen si qeverisja e sistemit të drejtësisë (KLGJ+KLP).

Çfarë ndodhi në KPK

KPK me shumicë votash, 2 pro dhe një kundër, nuk arriti të merrte një vendim lidhur me subjektin Alfred Balla, por vlerësoi se kreu i KLP nuk ishte subjekt rivlerësimi. Kaq mjaftonte që Balla të vijonte detyrën dhe të shpresonte që me përfundimin e mandatit si anëtar në KLP, të bëhej pjesë e sistemit të drejtësisë.

Dy nga anëtarët e KPK në qëndrimin e tyre arsyetuan se Balla nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe se statusin e kishte humbur për shkak se ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017, duke e barazuar këtë vendim në arsyetimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi një rast dënimi penal për një magjistrat.

Në pakicë, komisionerja Valbona Sanxhaktari iu referua interpretimeve të tjera të bëra nga Kolegji në raste të ngjashme dhe cilësoi faktin që Balla nuk iu nënshtrua procesit të rivlerësimit si dorëheqje. Ajo kërkoi që ndaj tij të aplikohej neni G i Kushtetutës që e largon për 15 vjet nga sistem i drejtësisë.

Sanxhaktari arsyetoi se përjashtimi i bërë nga Kolegji vlente vetëm kur konstatohej paaftësia për të kryer punë që parashikohen në Nenin G të Kushtetutës.

Në vitin 2022, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që përfaqësohej në këtë vendim nga Theo Jacobs, i kërkoi KPK-së që Balla të trajtohej si subjekt me prioritet. Në nëntor të atij viti, me gjasë pasi kishte marrë pyetësorët nga KPK që bënin me dije fillimin e hetimit, Balla i kërkoi Komisionit që procesi të ndërpritej.

Kjo kërkesë u refuzua nga KPK. Më pas Balla ankimoi këtë vendim, duke i kërkuar KPK-së t’ia përcillte ankimin Kolegjit.  KPK duke marrë parasysh edhe qëndrimin e ONM-së refuzoi këtë përpjekje të Ballës.

Deri në këtë moment situata ligjore e kreut të KLP-së ishte ajo e një subjekti rivlerësimi. Por në proces e sipër situata ka ndryshuar.

Shumica në Komision referon një situatë ligjore sipas të cilës Balla u shkarkua nga Gjykata e Lartë në vitin 2017. Balla bëri padi në Gjykatë Adminstrative për këtë vendm dhe kërkoi të paguhej deri në ditën e fillimit të mandatit të tij si anëtar i KLP-së – ku u zgjodh si përfaqësues i shoqërisë civile.  Gjykata Administrative e Shkallës së Parë i dha të drejtë Ballës, por procesi u apelua.

Kur kreu i KLP-së ndodhej nën procedurat e vetingut çështja ishte në Gjykatën Administrative të Apeli. Kjo e dyta vendosi në mars 2023, të prishë vendimin e Shkallës së Parë dhe të rrëzojë padinë. Por ndërsa nuk është plotësisht i qartë arsyetimi i Apelit, shumica e KPK referon se Balla ishte tërhequr nga padia.

“Subjekti i rivlerësimit, Alfred Balla, tërhoqi kërkesën e tij në Gjykatën Administrative dhe ky veprim është legjitim, pasi askush nuk mund të detyrohet të ndjekë një çështje në gjykatë”, arsyeton shumica.

Sipas shumicës nga ky moment shkarkimi i Ballës merrte formë të prerë dhe e shkarkonte atë nga detyrimi për t’iu nënshtruar vetingut.

“Në kushtet kur jemi para një akti i cili tashmë është në fuqi, për pasojë mund të konsiderohet si një ndërprerje e marrëdhënies së punës për arsye ligjore”, shprehet shumica.

Ankimimi nga Komisioneri Publik

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për përfundimin e vetingut pa një vendim përfundimtar dhe pa sanksion ndaj kreut aktual të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla.

Ballhysa e cilëson vendimarrjen e shumicës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese dhe kërkon ndryshimin, ku veç ndërprerjes së vetingut, kërkoi që ndaj Ballës të caktohet edhe sanksioni që i ndalon emërimin në disa pozicione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, përfshi dhe funksionin që ai mban aktualisht.

Por, menjëherë pas ankimimit të Komisionerit Publik, Alfred Balla, në një reagim të tij në atë kohë, tha se ankimi i komisionerit “e kishte habitur”, pasi sipas tij ishte ndjekur një praktikë tjetër për rastet analoge.

Balla shtoi se nuk ishte larguar me dorëheqje nga detyra si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, por ishte liruar. Sipas tij, procedura e e vetingut si këshilltar duhej të ishte pushuar pa vendim përfundimtar para 5 viteve.

Komisioneri Ballhysa e cilëson të pabazuar në situatën faktike vendimarrjen e shumicës së Komisionit. Ai sjell në vëmendje qëllimin e përcaktuar në Kushtetutë për procesin e vetingut, atë të funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe rikthimit të besimit të publikut tek drejtësia. Po ashtu, në arsyetimin e tij bazohet në jurispudencën e Kolegjit dhe në gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar të paraqitura në KPK në qershor të vitit 2022.

Ballhysa konstaton se vëzhguesi ndërkombëtar është shprehur se Balla ishte subjekt rivlerësimi në kohën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese që rregullonin procesin e rivlerësimit. Në ankim evidentohet fakti se Balla ka ndërmarrë një betejë ligjore me Gjykatën e Lartë lidhur me lirimin e tij nga detyra, që e ka fituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, ndërsa në Apel ka pretenduar njohjen e statusit si këshilltar ligjor jomagjistrat, duke pranuar se e ka statusin e subjektit edhe pasi është liruar nga detyra nga kryetari i Gjykatës së Lartë.

Gjykata ka vendosur gjithashtu se Balla e ka humbur statusin e këshilltarit ligjor vetëm kur u zgjodh si anëtar i KLP-së në vitin 2018, si dhe i është dhënë e drejta të përfitojë pagesën si këshilltar ligjor deri në atë moment.

“Në një situatë ku z. Balla nuk do ishte liruar (jo ligjërisht) nga detyra e tij, ai do ushtronte shërbimin në sistemin e drejtësisë. Fillimisht, në Gjykatën e lartë (si Këshilltar ligjor jo magjistrat) dhe më pas në Këshillin e Lartë të Prokurorisë si magjistrat. Por në të dyja rastet, ai do mbante statusin si subjekt rivlerësimi dhe do ishte nënshtruar procesit të rivlerësimit”, pasqyrohet në ankim mendimi i ONM.

Bazuar në opininion e ONM-së, trupa e KPK-së ka vazhduar procedurën e vetingut për Ballën duke e konsideruar subjekt rivlerësimi, si dhe ka i dërguar atij dy pyetësorë në drejtim të vlerësimit të pasurisë, procedurë e cila ka zgjatur deri më datë 30 maj të vitit 2023, kur Komisioni i ka dërguar subjektit rezultatet e hetimit, duke konkluduar me përfundimin e procesit të rivlerësimit pa vendim përfundimtar.

Referuar akteve në fashikullin e Komisionit, Ballhysa vlerëson se që prej momentit kur vëzhguesi ndërkombëtar ka paraqitur mendimin e tij dhe kur trupa e KPK ka vendosur ta vijojë procesin, e deri në paraqitjen e rezultateve të hetimit afro një vit më vonë, nuk ka ndryshuar ndonjë rrethanë që të mund të dilej me një përfundim të ndryshëm, duke konstatuar se Balla nuk e gëzonte më cilësinë e subjektit të rivlerësimit.

Batutat

Në seancën e mëparshme në KLP, zhvilluar më 29 prill, Alfred Balla, u shfaq i sigurtë se ndaj tij nuk do të kishte një vendim që do e penalizonte duke e nxjerrë jashtë sistemit. Kjo u duk në mënyrën se si ai u shfaq në seancë, madje duke hedhur batuta në drejtim të përfaqësuesit të ONM, Theo Jacobs.

Përballja e kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla me Komisionerin Publik, Florian Ballhysa u shoqërua të hënën me ironi, aludime dhe episode në adresë të Ballhysës dhe vëzhguesit ndërkombëtar.

Por, jo vetëm kaq, Balla nuk nguroi të përdorte ironinë në drejtim të Komisionerit Publik që kishte ankimuar çështjen, duke u shprehur “nuk e di nga e ka marrë frymëzimin Komisioneri Publik për ankimin, në çfarë tavoline. Mua më pa Zoti, shoqëria civile dhe Kuvendi që e zgjodhi”.

Dhe për të vijuar ‘gallatën’, Balla iu drejtua Jacobs: ‘Çkemi”.

Vëzhguesi ndërkombëtar reagoi i habitur, Balla e pyeti se “përse nuk më flet mua”.

I pyetur nga një prej të pranishmëve se përse i tërhoqi vëmendjen vëzhguesit ndërkombëtar me pyetje, Balla tha duke qeshur se në raste të tjera, Jacobs e kishte përshëndetur dhe për këtë arsye e pyeti se përse nuk po i fliste tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat