Shqipëria ka 132 parti politike, shumica pa adresë, ja sa para morën në vitin 2023

Shqipëria

Shqipëria ka 132 parti politike, shumica pa adresë, ja sa para morën në vitin 2023

Më: 22 maj 2024 Në ora: 07:22
Foto ilustrim

Shumica e partive politike në vend nuk kanë adresa të sakta e për rrjedhojë, asnjëherë nuk bëhen pjesë e auditimeve të planifikuara nga ekspertët që caktohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në raportin vjetor të këtij institucioni nënvizohet se në vitin 2023 u caktuan 9 ekspertë të licencuar që do të kryenin këto auditime.

“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 544, datë 22.5.2023, “Për përzgjedhjen e ekspertëve kontabël të licencuar (auditues ligjor) për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për vitin kalendarik 2022”, caktoi 9 ekspertë kontabël të licencuar (audites ligjor) për auditimin e 132 partive politike të regjistruara në regjistrin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga raportet e dorëzuara nga audituesit ligjorë për 84 parti politike nuk është kryer auditimi, për shkak të adresave të pasakta, apo pasi partitë edhe pse kanë marrë njoftimin për fillimin e procesit të auditimit, nuk janë vënë në kontakt me audituesit ligjorë” thuhet në raport. KQZ bën të ditur gjithashtu se për 4 parti politike nuk është kryer auditimi, pasi kanë status pasiv në kuptim të legjislacionit tatimor.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas verifikimeve të kryera nga raportet e dorëzuara nga vetë partitë politike, si dhe nga raportet e dorëzuara nga audituesit ligjorë, është në proces për marrjen e masave administrative për partitë politike” nënvizon raporti. Lidhur me mbështetjen financiare që marrin partitë raporti i KQZ zbardh se në vitin 2023 u 345.6 milionë lekë apo rreth 3.3 milionë euro. Kjo shumë u përfitua nga një total prej 11 partish ku në krye qëndron Partia Socialiste dhe më pas ajo Demokratike, pasuar nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe në fund mbyllet me Nisma Thurje.

Financimi i fushatave zgjedhore

KQZ pranon në raport se një nga elementët që ka nevojë për vëmendje është përmirësimi i rregullave për financimin e fushatave zgjedhore si dhe të miratohen disa rregulla që kanë të bëjnë me elementë të tillë si: Zhvillimin e fushatës në median online; b. Zhvillimin e fushatës në internet dhe në rrjete sociale; c. Të ashtuquajturin “Financimi i palëve të treta” dhe zhvillimin e fushatës nga këto subjekte. “Partitë politike që nuk janë regjistruar në 2 zgjedhjet e fundit dhe që nuk janë financuar nga buxheti i shtetit nuk duhet ti nënshtrohen auditimit. Në shumicën e rasteve partive politike nuk i dihet adresa. Ndërkohë që KQZ angazhon burime njerëzore dhe financiare për auditimin e tyre.

Partitë që në 3 zgjedhjet e fundit që nuk kanë marrë asnjë mandat duhet të paraqesin listë mbështetësish. Ndërkohë KQZ angazhohet për të kryer procedurat e përcaktuara në ligj për regjistrimin e tyre. Propozohet që nënshkrimet t’i paraqesin që në momentin që ata paraqesin kërkesën e tyre për regjistrim në zgjedhje” nënvizon KQZ.

Ky i fundit sjell në vëmendje se ka mospërputhje sa i takon vlerës së dhurimeve që duhet të bëhen publike tek ligji për partitë politike dhe Kodi Zgjedhor. Po kështu shihet me vend që të rishikohet pjesa XIII e Kodit Zgjedhor “Përgjegjësitë dhe Sanksionet”. Sanksionet janë joproporcionale në raport me shkeljen. Ka shkelje të rënda ndërkohë që kodi nuk parashikon sanksion administrativ ose sanksioni i parashikuar është i papërfillshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat